Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rëniet dhe ngritjet e Messit te PSG-ja

Fillimi i vështirë i jetës së Lionel Messit te Paris Saint-Germaini ka hasur në pengesa të reja, me tifozët e klubit francez që të hënën kanë shkruar mesazhe në qendrën stërvitore të skuadrës për të shprehur zhgënjimin e tyre.

Në mesazhet e tifozëve të klubit shkruhej edhe për largimin e Messit, i cili u transferua me bujë të madhe te PSG-ja para fillimit të këtij edicioni si lojtar i lirë. Po ashtu Messi ishte ndër lojtarët më të urryer në duelin kundër Bordeauxit, të dielën mbrëma. Ai sa herë që e prekte topin vërshëllehej nga tifozët parisienë që aspak nuk janë të kënaqur me kontributin e argjentinasit. E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e eliminimit të PSG-së në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve nga Real Madridi. Në fakt Messi, që ka fituar shtatë herë “Topin e Artë”, nuk e ka pasur aspak të lehtë fillimin te PSG-ja.

Më poshtë paraqesim disa prej momenteve kryesore të periudhës së Messit te Parisi.

Goli i parë kundër Cityt

Messi e shënoi golin e tij të parë me fanellën e PSG-së në ndeshjen e parë të madhe të këtij edicioni kundër Manchester Cityt. Ai kishte dështuar të shënonte në tri paraqitjet e para te PSG-ja, por golin e parë në stadiumin “Parc des Princes” e shënoi me klasë. Pas një aksioni të shpejtë nga qendra e fushës, Messi bëri një bashkëveprim me Kylian Mbappen përpara se me një gjuajtje perfekte të shënonte golin e parë.

Edhe Messi mburret me karrierën, flet për raportet me tifozët parisienë Sport Messi mburret me karrierën, flet për raportet me tifozët parisienë

Magjia kundër Leipzigut

Momentet më të mira të Messit për PSG-në kanë ardhur në Ligën e Kampionëve, pavarësisht eliminimit të hershëm të ekipit francez. Kishte raste kur dukej se kampanja e parisienëve mund të përfundonte edhe më shpejt, si për shembull kur ishin në disavantazh ndaj RB Leipzigut në duelin e luajtur në shtëpi në fazën e grupeve. Por Messi shënoi dy gola në shtatë minuta të pjesës së dytë, për t’ia siguruar Parisit fitoren 3:2.

“Hat-tricku” i asistimeve

Kur argjentinasi iu bashkua PSG-së shumica e njerëzve nuk do të prisnin që ai t’i bënte tri asistime në një ndeshje të Ligue 1. E një gjë të tillë Messi e bëri ndaj Saint-Etiennet, ku pati një paraqitje fantastike dhe bëri tri asistime. Në fakt, Messi ka më së shumti asistime në kampionatin francez, dhjetë.

Pritja e gjatë për gol në kampionat

Messi duhej të priste deri në muajin nëntor për të shënuar golin e parë në ligë për PSG-në. Më në fund goli i tij i parë erdhi në fitoren 3:1 në shtëpi ndaj Nantesit, pasi ai nuk arriti të shënonte në katër ndeshjet e para të Ligue 1, kundër Reimsit, Rennesit, Marseillet dhe Lillet.

Edhe Messi përshëndetet me humbje nga PSG-ja Sport Messi përshëndetet me humbje nga PSG-ja

Humbja e parë nga Rennesi

PSG-ja luftoi për gola në fillim të sezonit kur Messi ishte në skuadër dhe ky problem ishte i dukshëm në humbjen 2:0 në Rennes. Messi, Mbappe, Neymar dhe Angel Di Maria ishin startues, por ekipi i trajnerit Mauricio Pochettino nuk arriti të regjistrojë asnjë goditje në portë.

Eliminimi nga kupa

Fituesi në fuqi i Kupës së Francës, PSG-ja, u eliminua prej kësaj gare nga Nice. Ishte kjo ndeshja e parë që Messi ishte titullar pas infektimit me Covid-19 në Argjentinë. Pas barazimit të dytë pa gola mes skuadrave këtë sezon, portieri i huazuar Marcin Bulka bëri pritjen vendimtare për Nice kundër klubit të tij amë.

Humbja e penalltisë ndaj Realit

Megjithëse debakli i PSG-së në Ligën e Kampionëve për vitin 2022 do të mbahet mend më së shumti për kolapsin e ndeshjes së dytë në Madrid, penalltia e humbur e Messit në ndeshjen e parë ishte një moment i madh. Goditja e tij nga pika e bardhë u prit nga Thibaut Courtois në minutën e 62-të, por Parisi shënoi fitore 1:0 në këtë duel, falë golit të Kylian Mbappes.

Edhe Messi iu bashkua Parisit me shumë bujë, largohet pas vërshëllimave dhe dënimit Sport Messi iu bashkua Parisit me shumë bujë, largohet pas vërshëllimave dhe dënimit

Largimi nga Championsi

Sezonit të vështirë të Messit dhe PSG-së iu dha një goditje vrasëse në “Santiago Bernabeu”. Edhe pse ishte në epërsi 2:0 kur kishte mbetur më pak se gjysmë ore lojë, PSG-ja e humbi ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 3:2 pas “hat-trickut” të Karim Benzemas. Mënyra se si humbi gjiganti francez në këtë garë, solli kujtimet e humbjeve në 1/8 e finales të Championsit në vitet 2017 dhe 2019, kur u mposht nga Barcelona, përkatësisht Manchester Unitedi.