Superylli Lionel Messi po i ngjan sërish Messit të dikurshëm. Pasi u përshtat ngadalë me klubin dhe ligën e tij të re, argjentinasi më në fund dha një paraqitje të plotë me fanellën e Paris Saint-Germainit këtë javë. Katër muaj pasi u largua nga Barcelona për të nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare me klubin francez, Messi jo vetëm që shënoi dy herë në fitoren 4:1 ndaj Club Brugget në Ligën e Kampionëve, por ndikoi në lojën e PSG-së gjatë gjithë kohës, me aftësitë e tij të driblimit duke përshpejtuar ritmin e ekipit.
Deri më tani paraqitjet e Messit me PSG-në kishin lënë një ndjenjë “biznesi” të papërfunduar. Përveç një sulmi të shkëlqyer kundër Manchester Cityt në shtator dhe tre asistimeve muajin e kaluar në një ndeshje kundër Saint-Etiennet, Messi nuk kishte arritur të bënte përshtypje. Shfaqja e tij e vazhdueshme kundër kampionit belg dëshmoi se argjentinasi 34-vjeçar mbetet një nga më të mirët dhe vuri në pah ndikimin e madh të marrëdhënies së Messit me Kylian Mbappen.
Në mungesë të Neymarit të dëmtuar, mirëkuptimi i dyshes në sulm dukej telepatik dhe të dy lojtarët shënuan nga dy herë, me Mbappen që asistoi në golin e parë të Messit. Mbappe shënoi golin e 29-të dhe të 30-të në Champions. Me 22 vjet e 352 ditë, ai u bë lojtari më i ri që arriti këtë shifër në historinë e turneut. Messi ishte 23 vjeçar kur arriti atë pikë.
“Është e lehtë të luash me Lionel Messin, ai është lojtari më i mirë në botë”, tha Mbappe. “Ai fitoi ‘Topin e Artë’ disa ditë më parë, ai shënoi dy gola. Ai është i lumtur te PSG-ja dhe shpresoj se do të na ndihmojë shumë në të ardhmen për të arritur synimet e mëdha që i kemi”.
Mbappe dëshiron të ndihmojë Messin. Francezi është i sigurt se Messi do të jetë në formën e tij më të mirë të mundshme kur Liga e Kampionëve të kthehet vitin e ardhshëm me ndeshjet eliminuese. Në vend që të ndiqte një “hat-trick” kundër Brugget, Mbappe e la Messin të gjuante penalltinë që vulosi fitoren e PSG-së, sepse ai donte të rriste besimin e shokut të tij të skuadrës, shkruan AP.
“Ne do të kemi nevojë për Messin gjatë sezonit dhe jam i sigurt se ai do të na ndihmojë kur të vijnë ndeshjet e mëdha”, vazhdoi Mbappe. “Ai do të na kthejë edhe neve në formë të mirë. Është mirë që ai shënoi dy gola, por ky është sinjal i mirë edhe për të ardhmen e ekipit”.
Messi tani duhet të mbajë formën e tij evropiane në ligën franceze. Në ligën fizike, të njohur për forcën e saj mbrojtëse, lojtari shtatshkurtër ka luftuar për të gjetur ritmin. Përpara ndeshjes të së dielës kundër Monacos, Messi ka shënuar vetëm një gol në nëntë paraqitje në Ligue 1. Një shifër e vogël kjo krahasuar me 30 golat e tij në ligën spanjolle edicionin e kaluar. Megjithatë, mungesa e efikasitetit të Messit nuk i ka dëmtuar aspak ambiciet e PSG-së. Klubi ka një epërsi prej 11 pikësh ndaj Rennes në krye të renditjes, përpara ndeshjeve të kësaj fundjave, me Marseillen e vendit të tretë që mbetet 13 pikë prapa parisienëve.