Sport

Renard jep dorëheqjen nga Maroku

Herve Renard ka dhënë dorëheqjen nga posti i seleksionuesit të Marokut në futboll, pas eliminimit të hershëm në Kupën e Shteteve të Afrikës.

“Është koha për mua të mbylli këtë kapitull të gjatë dhe të bukur të jetës sime, jo pa emocione e pikëllim, por është një vendim i paevitueshëm që kam marrë dukshëm para Kupës së Afrikës të vitit 2019”, ka shkruar francezi 50-vjeçar në “Twitter” të dielën, transmeton “Koha Ditore”.

Maroku ishte vlerësuar një nga favoritët për të fituar Kupën e Shteteve të Afrikës, ku Renard do ta fitonte këtë garë me tri shtete të ndryshme, pas suksesit me Zambinë në vitin 2012 dhe Bregun e Fildishtë në vitin 2015.

Mirëpo, pasi fitoi të gjitha ndeshjet e fazës së grupit pa pranuar gol, Maroku u eliminua në 1/8 e finales pas penalltive nga autsajderi, Benini.