Sport

Rekordi i pikëve e konfirmon Jamesin si mbret të NBA-së

(AP) - LeBron James fillimisht hyri në listën e rekordeve të NBA-së për kërcime. Hyrja e tij e radhës ishte në asistime. Edhe atëherë pikët nuk ishin prioritet. Në fakt, pikët e shënuara nuk ishin kurrë prioritet për Jamesin.

Megjithatë ai disi u bë koshashënuesi më i mirë në historinë e NBA-së. Kjo ndodhi të mërkurën në mëngjes kur James shënoi me kërcim prapa, për të çuar totalin e karrierës së tij në 38,388 pikë dhe për të thyer rekordin që Kareem Abdul-Jabbar e mbajti për gati 39 vjet.

Mbreti i basketbollit, James, zgjati krahët pas pikës së 36-të në ndeshjen e Los Angeles Lakers ndaj Oklahoma City Thunder. Ai ngriti të dyja duart në ajër dhe më pas buzëqeshi. Abdul-Jabbar u ngrit nga vendi dhe duartrokiti.

Ndeshja u ndërpre pasi anëtarët e familjes së Jamesit, përfshirë nënën e tij, gruan dhe tre fëmijët, morën fjalën për një ceremoni në këtë moment madhështor.

“Asnjëherë nuk kam menduar për këtë rekord. E vetmja gjë për të cilën kam menduar ndonjëherë ishte fitimi i kampionateve, ndoshta disa çmime MVP, dhe lojtari mbrojtës i vitit”, ka thënë James.

Abdul-Jabbar - lojtar i Lakersave për një kohë të gjatë dhe një nga shumë të famshëm dhe yje të sportit që u siguruan të ishin në palestër për të parë historinë - u bë koshashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në NBA më 5 prill 1984. Ai u tërhoq në vitin 1989 me 38,387 pikë të shënuara. Ishte një rekord që disa mendonin se do të mbetej përgjithmonë, pasi shumë pak lojtarë iu afruan.

Karl Malone u tërhoq me 1459 pikë më pak se Abdul-Jabbar. Kobe Bryant mbeti 4744 pikë larg dhe Michael Jordan ishte 6095 pikë prapa atij rekordi.

James i kaloi të gjithë. Dhe e rrëzoi nga froni edhe Abdul-Jabbarin. 38-vjeçari – i cili realizoi 38 pikë në humbjen 133:130 të Lakersave – e bëri këtë në sezonin e 20-të në ligë. Abdul-Jabbar gjithashtu luajti 20 sezone në NBA.

“Duhet t'i jepni atij meritat për mënyrën se si planifikoi të zgjasë karrierën në NBA dhe të dominojë”, tha Abdul-Jabbar.

Dhe tani “Mbreti James”, një nofkë që e ka pasur nga shkolla e mesme, është mbreti i pikëve të shënuara në NBA me 38,390 pikë, që do të vazhdojnë të shtohen.

“Një rekord që ka qëndruar për gati 40 vjet, i cili shumë njerëz menduan se nuk do të thyhej kurrë, u thye”, tha komisioneri i NBA-së, Adam Silver.

Abdul-Jabbar e mbajti topin lart. Më pas ia dha Jamesit duke bërë pasimin ceremonial. Ata pozuan për foto me Silverin dhe më pas me njëri-tjetrin. James fshiu lotët nga sytë e tij dhe më pas iu drejtua turmës.

“Unë vetëm dua t’u them faleminderit tifozëve të Lakersave”, tha James. “Të jesh në gjendje të thyesh këtë rekord dhe atë në prani të një legjende kaq të madhe si Kareemi, është shumë gjë me vlerë. Ju lutemi, jepini duartrokitje kapitenit, ju lutem”.

James më pas falënderoi familjen e tij dhe ata që e kanë mbështetur, përfshirë Silverin dhe komisionerin e ndjerë të NBA-së, David Stern.

“Unë ju falënderoj shumë që më lejuat të jem pjesë e diçkaje për të cilën kam ëndërruar gjithmonë”, tha James.

Të paktën 16 lojtarë të ndryshëm kanë qenë, teknikisht, koshashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e ligës. Shumica e atyre erdhën në muajin e parë të ekzistencës së ligës në vitin 1946, kur të gjithë filluan nga zero dhe nëntë lojtarë të ndryshëm ishin në krye të listës së shënuesve në 16 ditët e para. Por vetëm gjashtë kanë përfunduar një sezon zyrtarisht si liderë të të gjitha kohërave: Joe Fulks, George Mikan, Dolph Schayes, Bob Pettit, Wilt Chamberlain dhe Abdul-Jabbar.

James do të jetë emri i shtatë në atë listë dhe ai ka të ngjarë të qëndrojë atje për një kohë të gjatë. Asnjë lojtar aktiv nuk është 10,000 pikë afër me Jamesin, i cili është nën kontratë edhe për dy vjet të tjera dhe është në hap për t'u bërë shënuesi i parë i ligës me 40,000 pikë.

“Askush nuk do ta prekë kurrë këtë rekord”, tha Kevin Love i Clevelandit, i cili ishte bashkëlojtar me Jamesin kur fituan titullin e kampionit në vitin 2016.

James mund të kishte pasur rekordin e pikëve të shënuara shumë kohë më parë, nëse ishte i fokusuar në këtë. Por ai gjithmonë preferonte asistimin. James është pas vetëm John Stocktonit, Jason Kiddit dhe Chris Paulit në listën e asistuesve më të mirë të të gjitha kohërave.

James është anëtar i vetëm i “klubit” me “triple-double” të NBA-së më të paktën 10,000 pikë, 10,000 kërcime dhe 10,000 asistime. Ai pothuajse me siguri do të jetë lideri i të gjitha kohërave në NBA në të ardhura kurdo që të pensionohet. Kur shton 97 milionë dollarët që do t’i fitojë gjatë dy sezoneve të ardhshme, ai do të kalojë 500 milionë dollarë të ardhura vetëm në paga. Ai është përzgjedhur 19 herë në “All-Star”, duke barazuar një rekord të Abdul-Jabbarit. Nëse ai luan në ndeshjen e 19 shkurtit në “Salt Lake City”, do të vendosë rekord për paraqitje.

Të tjerë, ndoshta, kanë qenë kaq të mirë. Ky është gjithmonë debat. Por askush nuk ka qenë kurrë kaq i mirë, për kaq gjatë sa Jamesi.

James - dy herë kampion me Miamin, një herë me Clevelandin dhe një herë me Lakersat – po shënon mesatarisht 30 pikë për ndeshje në sezonin e tij të 20-të.