Skuadra e Real Madridit ka hequr dorë nga transferimi i qendërmbrojtësit të Chelseat, Antonio Ruediger.
Mediumet spanjolle kanë raportuar të mërkurën se kërkesat e larta të gjermanit kanë bërë që Reali të dorëzohet në garën për të.
Ruediger ka nisur negociatat me klubet tjera pasi kontrata me Chelsean i skadon në fund të sezonit. Ai te Reali shihej si përforcim i duhur për mbrojtjen në sezonin e ri dhe klubi madrilen synonte të arrinte marrëveshje me të gjatë këtij muaji. Megjithatë, kërkesa e Ruedigerit për pagë javore prej 240 mijë eurosh ishte e lartë për Realin që tashmë ka hequr dorë nga mbrojtësi.
Ruediger ka refuzuar rinovimin e kontratës me Chelsean dhe po synon që karrierën ta vazhdojë diku tjetër.
28-vjeçari iu bashkua Chelseat në vitin 2017 nga Roma kurse këtë sezon ka 26 paraqitje, ku ka shënuar dy gola dhe ka bërë katër asistime në të gjitha garat.