Edhe Real Madridi është futur në garë për shërbimet e sulmuesit të krahut, Kingsley Coman që është pjesë e Bayern Munichut. “Fichajes” ka raportuar të premten se drejtuesit e Realit po e përgatitin ofertën për transferimin e Comanit në fund të këtij edicioni.
Coman ka paralajmëruar largimin nga Bayerni, pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon në vitin 2023. Te Reali po e shohin Comanin si përforcim të duhur për sulmin në sezonin e ri dhe trajneri Carlo Ancelotti ka përkrahur idenë e klubit për transferimin e tij.
Coman këtë sezon ka shënuar pesë gola dhe ka bërë dy asistime në 17 ndeshje për Bayernin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2017 nga Juventusi. Krahas Realit, interesim për Comanin kanë shfaqur edhe Paris Saint-Germaini, Manchester Unitedi, Chelsea e Liverpooli.