Real Madridi e synon fitoren e tretë rresht në La Liga, në xhiron e nëntë.
Madrilenët do ta vazhdojnë kampanjën e edicionit 2020/21 në stadiumin “Mestalla” të dielën, në orën 21:00, kur do të takohen me Valencian.
“Los Blancos” aktualisht është në pozitën e dytë në elitën e futbollit spanjoll me 16 pikë nga shtatë lojë. “Lakuriqët” nga ana tjetër pozicionohen në vendin e 13-të, duke marrë vetëm tetë pikë nga po aq ndeshje.
Valencia është duke kaluar në formë të vështirë. Në fakt, ky ekip nuk ka fituar në La Liga që nga fundi i shtatorit. I ka humbur tri nga katër ballafaqimet e fundit, dhe tani ka vetëm tri pikë më shumë se vendi që dërgon në rangun e dytë të futbollit spanjoll. Gjashtë herë kampionia e Spanjës e drejtuar nga Javi Garcia ka marrë vetëm një pikë në katër ndeshje.
Kampioni në fuqi, Real Madridi, vjen në këtë ndeshje pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në ligë. E fitoi “El Clasicon” kundër Barcelonës 3:1, si dhe mposhti 4:1 Huescan në vikendin e kaluar.
Madrilenët fituan edhe në Ligën e Kampionëve 3:2 kundër Interit.
Me pesë fitore, një barazim e një humbje nga Cadizi, Reali ka 16 pikë dhe është në vendin e dytë në tabelë me një pikë më pak se Real Sociedadi, por që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Takimi i fundit i edicionit të kaluar përfundoi baras 1:1 mes këtyre dy skuadrave. Sidoqoftë, të drejtuarit e Zinedine Zidanet nuk kanë fituar në stadiumin “Mestalla” në La Liga, që prej janarit të vitit 2018.
Te Valencia do të mungojë mbrojtësi i krahut, Thierry Correia, pasi 21-vjeçari është i suspenduar për shkak të kartonit të kuq.
Më të theksuara janë mungesat te skuadra e Realit. Dani Carvajal, Nacho dhe Alvaro Odriozola do të mungojnë për shkak të lëndimeve, ndërsa Eder Militao ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Karim Benzema është futbollisti që i ka shënuar pesë gola në udhëtim te Valencia.
Gjigantja tjetër e La Ligës, Barcelona, do të luajë të shtunën kundër Real Betisit.
“Blaugrana”, që nuk ka fituar një ndeshje të La Ligës për afër një muaj, në edicionin e sivjetmë ka marrë vetëm tetë pikë nga gjashtë ndeshje dhe pozicionohet në vendin e 12-të në tabelë. Betisi nga ana tjetër është i shtati në renditje, me 12 pikë në tetë ndeshje.
Të udhëhequrit e Ronald Koemanit kanë arkëtuar vetëm dy pikë nga katër ballafaqimet e fundit. Humbi në dy ndeshje të njëpasnjëshme, nga Getafe e Real Madridi, derisa në vikendin e kaluar barazoi me Alavesin.
Skuadra nga Katalonja synon të marrë pikët e plota, pasi menjëherë pas pushimit të përfaqësueseve do t’i shkojë Atletico Madridit.