Futboll

Reali lë prapa humbjen nga Benfica, synon fitore në La Liga

Real Madrid

Foto: Associated Press

Real Madridi u mposht nga Benfica në ndeshjen e fundit të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Ajo humbje është komentuar shumë pasi që portieri i Benficas, Anatoliy Trubin, shënoi gol në minutën e 98-të për rezultatin 4:2. Dhe me gol të ukrainasit Trubin, Benfica zuri vend në plejof të Championsit..

Reali synon ta lërë prapa disfatën ndaj Benficas dhe shpreson në fitore ndaj Rayo Vallecanos.

Skuadra mbretërore të dielën nga ora 14:00 e pret Vallecanon në kuadër të xhiros së 22-të të La Ligas spanjolle.

Reali ka 51 pikë dhe e zë vendin e dytë. Një pikë më shumë ka Barcelona.

Vallecano ka 22 pikë në pozitën e 16-të.

Reali, që tashmë drejtohet nga trajneri Alvaro Arbeloa, ka seri prej pesë fitoreve në kampionat.

Vallecano nuk është në moment të mirë pasi ka regjistruar tri disfata radhazi.

Kampionia në fuqi e Spanjës, Barça, të shtunën nga ora 21:00 luan në udhëtim tek Elche.

Barça pas fitores 4:1 ndaj Copenhagenit avancoi direkt në një të tetën e finales në “Champions”.

Barça ka tri fitore radhazi në të gjitha garat.

Elche ka 24 pikë dhe e zë vendin e 11-të.

Xhiroja e 22-të mbyllet të hënën me ndeshjen ndërmjet Mallorcas dhe Sevillas që fillon nga ora 21:00. Pjesë e Mallorcas është sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.