Futboll

Dramë e pabesueshme në Champions, portieri shënon në minutën e 98-të për kualifikimin e Benficas

Benfico

Në mënyrën më dramatike të mundshme ka përfunduar faza e ligës në Champions.

Portieri i Benficas, Anatoliy Trubin ka shënuar golin për fitoren 4:2 të Benficas ndaj Real Madridit. Dhe falë golit të tij në minutën e 98-të, Benfica e Jose Mourinhos ka bërë vend në plejof të Championsit.

Me 3:2 Benfica nuk avanconte për shkak të goldallimit. Por në aksionin e fundit Trubin u hodh në sulm dhe goditi saktë me kokë për fitoren dhe kualifikimin e pabesueshëm.

Benfica avancon nga pozita e 24-t dhe e fundit e mundshme. I mblodhi nëntë pikë. Marseille ishte i kualifikuar deri në minutën e fundit të ndeshjes në Portugali, por eliminohet. Edhe Marseille i ka nëntë pikë, por goldallim për një gol më të keq se Benfica. Me nga nëntë pikë nuk kanë avancuar as Pafosi dhe Royale Union.

Ndërkohë Real Madridi ka përfunduar në vendin e nëntë dhe vazhdon në plejof.

Andreas Schjelderup i shënoi dy gola për Benfican, ndërsa një e realizoi Vangelis Pavlidis. Dy golat për Madridin i shënoi Kylian Mbappe.

Direkt në një të tetën e finales së Championsit janë kualifikuar Arsenali, Bayerni, Liverpooli, Tottenhami, Barcelona, Chelsea, Sportingu dhe Manchester City.

Në plejof do të luajnë Real Madridi, Interi, PSG-ja, Newcastle, Juventusi, Atletico Madridi, Atalanta, Bayer Leverkuseni, Borussia Dortmundi, Olympiacosi, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabagu, Bodo/Glimti e Benfica.

Në fazën e ligës ndalen Marseille, Pafosi, Royale Unioni, PSV-ja, Athletic Bilbao, Napoli, Copenhageni, Ajaxi, Eintracht Frankfurti, Slavia Praga, Villarreali dhe Kairat Almaty.

Befasia më e madhe vlerësohet eliminimi i kampionit të Italisë, Napolit, që në fazën e ligës. Napoli të mërkurën pësoi në shtëpi nga Chelsea, 3:2.

Kampioni në fuqi, PSG, do të paraqitet në plejof. Arsenali ishte ekipi i vetëm që i fitoi të gjitha tetë ndeshjet e fazës së ligës.

Lexo përditësimet tjera
Champions

Xhiroja e fundit e fazës së ligës në Champions