Me përfundimin e La Ligas, Real Madridi dhe Barcelona janë të gatshëm të rimbushin bateritë dhe riorganizohen përderisa duhet të kthejnë fokusin e tyre kah Liga e Kampionëve, shkruan AFP. Ekipet u përgjigjën ndryshe pas pezullimit të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, me Realin që lulëzoi dhe fitoi titullin e kampionit derisa Barcelona nuk arriti më shumë se pozitën e dytë në kampionat.
Tani, të dyja ekipet kanë pak më shumë kohë për t’u përgatitur për fundin e këtij edicioni të zgjatur. Si Reali ashtu edhe Barcelona do të fillojnë sërish fushatat e tyre në Ligën e Kampionëve brenda disa javësh, me Madridin që duhet të kapërcejë humbjen 2:1 në shtëpi nga Manchester City dhe Barcelonën që barazoi 1:1 ndaj Napolit në Itali, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales.
“Ne kemi nevojë për pak paqe në mendje”, tha ylli i Barcelonës, Lionel Messi, pas fitores së ekipit të tij ndaj Osasunas 5:0, të dielën në xhiron e fundit të këtij edicioni të La Ligas. “Pushimi do të jetë i mirë për të na dhënë një ide të qartë në kokë dhe të na lejojë të kthehemi më të motivuar se kurrë”.
Barcelona e mbylli edicionin në pozitën e dytë në tabelë, me pesë pikë më pak se Real Madridi, i cili barazoi 2:2 në ndeshjen e fundit kampionale. Reali e fitoi titullin e 34-të në histori të klubit – dhe të parin pas tre vjetësh – pas paraqitjeve të jashtëzakonshme të rifillimit të garave duke regjistruar një seri prej dhjetë fitoreve.
“Ne kemi nevojë për disa ditë që të çlodhemi”, pranoi trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane. "Ne duhet të shkëputemi dhe të pushojmë paksa. Ne do të mendojmë për ndeshjen e kthimit me Cityn kur të kthehemi në stërvitje. Do të kemi dhjetë apo 15 ditë për të menduar. Tani duhet të shkëputemi nga futbolli”.
Zidane është i bindur se ekipi i tij mund të vazhdojë garat në Ligën e Kampionëve, pavarësisht humbjes që e regjistroi në ndeshjen e parë nga City në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Ai thotë se paraqitjet e mira në kampionat, i garantojnë atij suksesin edhe ndaj ekipeve nga Premier League.