Kupa e Botës për klube është bërë “qershia mbi tortën” e Real Madridit, pas fitimit të një trofeu të Ligës së Kampionëve. Skuadra spanjolle do të kërkojë titullin e tetë, që do të ishte rekord, në turneun që fillon këtë javë në Marok.
“Është gjithmonë kënaqësi të luash në këtë garë sepse për të qenë në të duhet ta fitosh Ligën e Kampionëve”, tha ish-lojtari i Madridit, Emilio Butragueno, tani një prej drejtuesve të klubit. “Kjo do të thotë që skuadra pati sukses të madh në sezonin e kaluar”.
Real Madridi ishte i suksesshëm pesë herët e fundit që luajti për titullin e botës për klube, pas triumfeve në Ligën e Kampionëve të Evropës. Madridi triumfoi në vitin 2014 dhe nga 2016 deri në vitin 2018 në Kupën e Botës për Klube të organizuar nga FIFA, dhe gjithashtu në vitin 2002 në atë që u quajt Kupa Ndërkontinentale - një finale me një ndeshje midis kampionëve të Evropës dhe Amerikës së Jugut.
Real Madridi për herë të fundit nuk arriti të fitonte titullin e botës në vitin 2000, kur humbi Kupën Ndërkontinentale nga klubi argjentinas Boca Juniors.
Klubet evropiane nuk i kushtojnë gjithmonë shumë rëndësi Kupës së Botës për klube, pjesërisht sepse ajo shpesh vjen në mes të sezonit të tyre. Por Madridi ishte një nga të parët që e mori më seriozisht dhe me krenari ka promovuar triumfet e fundit në kompeticion.
“Është e rëndësishme që ekipi të jetë mirë, të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, pavarësisht një orari shumë të ngarkuar”, tha Butragueno. “Ne e dimë se nëse ekipi ynë është në nivel të lartë, ne mund të garojmë dhe të kemi sukses kundër kujtdo”.
Real Madridi e fitoi Kupën e Botës për Klube herën e fundit që u luajt në Marok, në vitin 2014. Të luajë në vendin fqinj e bën një udhëtim më të shkurtër për klubin spanjoll në krahasim me kohën kur ky turne luhej në Lindjen e Mesme.
Real Madridi do të fillojë vetëm javën e ardhshme dhe kundërshtari i tij mund të jetë Seattle Sounders nga Major League Soccer, kampioni i CONCACAF-it dhe ekipi i parë i SHBA-së që kualifikohet në Kupën e Botës për klube. Sounders fillimisht do të luajnë ose me Al Ahly të Egjiptit ose me Auckland City të Zelandës së Re, që do të takohen në rundin e hershëm.
Finalja do të jetë më 11 shkurt dhe kundërshtari më i mundshëm i Real Madridit do të jetë klubi brazilian Flamengo, kampioni i Copa Libertadores në Amerikën e Jugut. Real Madridi nuk pritet të udhëtojë në Marok deri pak para ndeshjes së tij, sepse ka ende dy ndeshje për të luajtur në ligën spanjolle, në shtëpi kundër Valencias të enjten dhe në Mallorca të dielën. Real Madridi filloi një sezon të mirë, duke fituar 14 nga 16 ndeshjet e para, pa asnjë humbje. Por nuk ka qenë në maksimumin e tij kohët e fundit. Klubi madrilen fitoi vetëm dy nga shtatë ndeshjet e fundit në një periudhë që përfshin humbjen nga rivali, Barcelona, në finalen e Superkupës spanjolle në Arabinë Saudite.
Skuadra mbretërore barazoi pa gola në shtëpi kundër Real Sociedadit në ligën spanjolle të dielën, rezultat që la kampionen në fuqi pesë pikë prapa Barcelonës që është lidere. Ishte hera e parë që Reali nuk shënoi gol këtë sezon në të gjitha garat.
“Janari ka qenë i vështirë për ne”, tha trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti. “Por skuadra është përmirësuar dhe do të përmirësohet. Ne duam të jemi garues dhe besoj se do të reflektojmë”.