Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Real Madridi synon ta përmirësojë rekordin në finalen ndaj Al-Hilalit

Real Madridi ka dëshmuar se mund të shënojë gola edhe nëse duhet të hyjë në fushë pa sulmuesin Karim Benzema. Këtë synon ta bëjë në finalen e Kupës së Botës për klube, të shtunën kundër Al-Hilalit të Arabisë Saudite. Finalja luhet në Rabat të Marokut prej orës 20:00.

Skuadra e Carlo Ancelottit, kampionia në fuqi e Evropës dhe Spanjës, synon të fitojë Botërorin e klubeve për herë të pestë dhe të rikthejë besimin pas një fillimi të dobët të vitit.

Kapiteni i Realit, francezi Benzema, humbi gjysmëfinalen për shkak të një dëmtimi në kofshë, por është stërvitur me ekipin të premten, një ditë para finales.

Reali e ka fituar katër herë këtë garë duke vendosur rekord dhe është favorit i madh për ta mposhtur Al-Hilalin, pas fitores së thellë në gjysmëfinale, 4:1, ndaj ekipit egjiptian Al Ahly, të mërkurën.

“Jemi shumë afër për ta fituar një trofe dhe ne duam ta fitojmë atë. Kështu që duhet të fitojmë në finale”, tha Ancelotti të premten në konferencën për shtyp. “Na pret një sfidë e madhe dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Përballemi me një ekip të mirë, i cili jo rastësisht e eliminoi Flamengon”.

Edhe “El Clasico” për trofe, sërish në Arabi Saudite Futboll “El Clasico” për trofe, sërish në Arabi Saudite

Real Madridi e ka fituar këtë garë me Ancelottin në vitin 2014, ndërsa ka triumfuar edhe në vitet 2016, 2017 e 2018.

Vinicius Junior, Rodrygo dhe Fede Valverde u rreshtuan në sulm dhe të gjithë shënuan në gjysmëfinale së bashku me të riun Sergio Arribas, që u inkuadrua nga bankina. Reali nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë, por sulmuesit kishin mjaft avantazhe për ta kaluar dhjetë herë fituesin e Ligës së Kampionëve të Afrikës.

Ancelotti tha se lëndimi i Benzemas nuk ishte serioz, por ai mund të zgjedhë të fillojë me fituesin e “Topit të Artë” në stol, edhe nëse ai është i aftë për të luajtur.

Real Madridi humbi Superkupën e Spanjës kundër Barcelonës në janar dhe ka mbetur tetë pikë pas rivalit më të madh në La Liga në garën për titull. Fitimi i trofeut të dytë të sezonit, pas ngritjes së Superkupës së Evropës në gusht, do të rriste moralin në ekipin nga kryeqyteti spanjoll.

Al-Hilal, i cili mposhti fituesin e Copa Libertadores, Flamengon, në gjysmëfinalen tjetër, ka ish-sulmuesin e Manchester United, Odion Ighalo, dhe ish-sulmuesin e Atletico Madridit, Luciano Vietto, që kryesojnë vijën e sulmit të këtij reparti.

Fituesi i Ligës së Kampionëve të Azisë në vitin 2021 synon të fitojë trofeun për herë të parë, pasi ka përfunduar në vendin e katërt në vitet 2019 dhe 2021.

“Benzema ka stërvitur dhe së bashku me Militaon kanë gjasa për të luajtur në finale. Megjithatë, do të vendosi pak para ndeshjes nëse do të jetë startues apo do të inkuadrohet më vonë”, shtoi Ancelotti.

Real Madridi është padyshim më i rrezikshëm me Benzeman, por sulmuesi është penguar nga një sërë lëndimesh të rënda këtë sezon. Edhe disa lojtarë të tjerë të Real Madridit kanë mbetur jashtë fushës, duke përfshirë Thibaut Courtois, Ferland Mendy, Lucas Vazquez dhe Eden Hazard, të cilët nuk do të luajnë në finale. Përkundër mungesave që ka, Ancelotti duket të jetë i sigurt se sulmuesit e tij mund ta kryejnë punën dhe të bëjnë histori të shtunën me trofeun e pestë të fituar.

Edhe Benzema po shënon gola, teksa Reali synon trofetë në Spanjë dhe Evropë Sport Benzema po shënon gola, teksa Reali synon trofetë në Spanjë dhe Evropë

Te kundërshtari nga Arabia Saudite pranojnë se Reali mbetet favorit. Mirëpo, insistojnë se eliminimi i Flamengos ka bërë të besojnë se mund ta mposhtin edhe kampionin e Evropës. Al-Hilali do të ketë përkrahje të madhe në stadiumin “Stade Price Moulay Abdellah” në Rabat.

“Do të luajmë në njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme dhe më të bukura në historinë e ekipit tonë. Kështu që, jemi gati për të dhënë gjithçka nga vetja dhe për t’i gëzuar tifozët tanë me triumf ndaj Real Madridit. E duam këtë trofe, por nuk do të jetë aspak lehtë ta fitojmë. Ne jemi të motivuar dhe do ta kërkojmë fitoren në këtë finale të madhe”, ka thënë lojtari i Al-Hilalit, Abdullah Al-Mayouf.