Xhiroja e 25-të e La Ligas në këtë fundjavë mund të jetë vendimtare për titull kampioni, por edhe ta hapë garën për vendet që dërgojnë në ligat evropiane në edicionin tjetër.
Fitorja 4:0 e Real Madridit ndaj Gironas ka bërë që të krijohet diferenca e pesë pikëve për titull.
Real Madridi është i pari me 61 pikë, i përcjellë nga Girona me 56 pikë.
Barcelona është e treta me 51 pikë.
Trajneri Carlo Ancelotti të dielën në udhëtim te Rayo Vallecano nga ora 14:00 do të jetë pa Antonio Ruedigerin, Eder Militaon, David Alaban e Jude Belinghamin.
Vallecano e pret Real Madridin pas serisë prej një fitoreje në 14 ndeshje të ligës.
Girona e vendit të dytë luan në udhëtim tek Athletic Bilbao.
Bilbao është e pesta në ligë, ndërsa skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde, është pa disfatë në “San Mames” që prej nisjes së këtij edicioni. Ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi.
Ballafaqimi Bilbao – Girona luhet të hënën nga ora 21:00.
Barcelona ndërkohë të shtunën në orën 18:30 luan në udhëtim te Celta Vigo.
Barça në vikendin e kaluar lëshoi pikë, ndërsa pas vizitës te Celta Vigo, do ta ketë edhe një ndeshje në udhëtim, atë te Napoli në Ligën e Kampionëve.
Atletico Madridi para ndeshjes së “Championsit” do ta luajë në shtëpi kundër Las Palmasit.
Atletico Madrid – Las Palmas do të luhet të shtunën në orën 14:00.
Atletico Madridi është i katërti në tabelë me 48 pikë.