Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reagon Trepça, dënon sjelljen e “disa individëve të caktuar”

Një ditë pasi triumfoi në Superkupën e Kosovës në basketboll, skuadra e Trepçës ka dalë me reagim publik në lidhje me incidentet që ndodhën në finalen e luajtur të dielën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Klubi ka Mitrovica ka shprehur shqetësimin, siç e ka quajtur, për disa episode jo të mira pas përfundimit të finales kundër skuadrës së Pejës. Trepça ka insistuar se është maksimalisht e përkushtuar që të luftojë dukuritë negative dhe ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj individëve që me veprimet e tyre dëmtojnë klubin por edhe basketbollin kosovar.

“Klubi i basketbollit Trepça angazhohet maksimalisht për sjellje të dinjitetshme të të gjithë akterëve në ndeshjet e basketbollit, duke përfshirë shikuesit në tribuna. Në të njëjtën kohë klubi ynë dënon sjelljen e disa individëve të caktuar, që mundohen të kamuflohen brenda grupeve të tifozëve, që i bëjnë dëm klubit tonë, imazhit të klubit dhe basketbollit në përgjithësi”, ka shkruar Trepça.

“Jemi të përkushtuar që të luftojmë dukuritë negative dhe nga ndeshja e ardhshme do të ketë masa të rrepta ndaj atyre individëve që me veprimet e tyre bien ndesh me misionin e klubit dhe basketbollit Kosovar”. Në fund, Trepça ka uruar tifozët e saj për suksesin e arritur, por në të njëjtën kohë ka kërkuar prej tyre që të distancohen prej individëve që i shkaktojnë vetëm dëm klubit.

Artikuj të ngjashëm