Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reagon Sali Berisha pasi “Plisave” nuk u ndahen bileta për ndeshjen Shqipëri – Ishujt Faroe

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pasi që tifo-grupit të Prishtinës, “Plisat”, nuk u janë ndarë bileta për ndeshjen eliminatore për Euro 2024 mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, që zhvillohet sonte në “Air Albania” në Tiranë.

Berisha në Facebook ka thënë se ky “përjashtim me urdhër të Edi Ramës, është akt primitiv, anti-sportiv e anti-kombëtar”.

“Përjashtimi i “Plisave” nga ndeshja me urdhër të Edi Ramës, një akt primitiv, anti-sport dhe anti-kombëtar. Të dashur miq, në një akt hakmarrës primitiv Edi Rama urdhëron FSHF dhe Taulant Bego Jaris që “Plisat” e famshëm të mos lejohen në Stadium për të ndjekur ndeshjen e sotme të kombëtares me ishujt Faroe. Ky dënim kolektiv për shkak të parullës që shpalosën në Stadium në ndeshjen me Çekinë kundër Pashiqit shqiptar përbën një akt të turpshëm racist antikombëtar një vetposhtërim të atyre që zbatojnë urdhrin e Edi Ramës. Nderim “Plisave”! Turp Edi Ramës dhe atyre që pengojne “Plisat” epik të jenë sonte në stadium!” – ka shkruar Berisha.

Tifo-grupi i Prishtinës, Plisat, ka dalë të hënën mbrëma me reagim zyrtar, pasi nuk iu dhanë bileta për ndeshjen Shqipëri – Ishujt Faroe.