Përzgjedhësja e Zvicrës në futboll, Inka Grings, të hënën përzgjodhi ekipin që do të paraqitet në Kampionatin Botëror. Befasisht pjesë e përfaqësueses së Zvicrës nuk është Riola Xhemaili. Xhemaili ka stërvitur deri të dielën me Zvicrën, por nuk është përzgjedhur në ekipin final që do të udhëtojë për në Zelandë të Re.
Botërori i futbollisteve mbahet prej 20 korrikut deri më 20 gusht në Australi dhe Zelandë të Re. Zvicra është pjesë e Grupit A së bashku me Zelandën e Re, Norvegjinë dhe Filipinet.
Riola është 20-vjeçare dhe tashmë i ka 22 ndeshje e pesë gola për Zvicrën. Po ashtu bën karrierë për disa vjet në Bundesligë. Por trajnerja gjermane, Grings, nuk është bindur nga paraqitjet e Xhemailit dhe e ka lënë atë jashtë Botërorit.
“Një vendim që irriton” ka shkruar shefi i futbollit në “Blick”, Christian Finkbeiner. Rrallë gazeta e madhe zvicerane publikon komente që kanë të bëjnë me futbollin e femrave. Por, rasti i Xhemailit është i veçantë.
“Me lënien jashtë të Riola Xhemailit, Inka Grings ka lëshuar një bombë të vogël dy javë para fillimit të Botërorit. Lojtarja që ka firmosur për trei vjet me finalistin e Ligës së Kampionëve, Wolfsburg, duket se nuk është në mesin e 23 më të mirave në vendin tonë. Kjo është gjë e madhe dhe për të ardhmen dërgon sinjalin e gabuar. Grings ka arsyetuar vendimin për të lënë jashtë mesfushoren me gjendjen fizike dhe mungesën e kohës së lojës. Paraqitjet e saj me vetëbesim mund të interpretohen si arrogante. Por, Xhemaili besoi në futboll herët dhe tashmë i ka 42 ndeshje në Bundesligë dhe 22 ndeshje ndërkombëtare. Është një nga lojtaret që premtojnë më së shumti”, ka shkruar Finkbeiner i “Blick”.
Edhe
Xhemaili merr lëvdata nga selektorja e Zvicrës
Ai nuk pajtohet që te Zvicra të jenë dhjetë lojtare të Superligës zvicerane e jo Xhemailit. Ka shkruar se liga në Zvicër është gjysmëprofesionale.
“Pyetja është se kush mund ta ndihmojë ekipin kur Zvicra takohet me ekipet më të forta në botë? Nëse doni të shtyni limitet, si kërkon Grings, përfaqësuesja ka nevojë për të mirat. Dhe Xhemaili pa dyshim është prej më të mirave”, shkruan në komentin e shefit të futbollit në “Blick”.
Për mbetjen jashtë të Xhemailit kanë folur edhe ylli i Zvicrës, Alisha Lehmann, që është shoqe e mirë me futbollisten kosovare, si dhe kapitenia e Zvicrës, Lia Walti.
Selektorja ka arsyetuar vendimin për ta lënë Xhemailin jashtë Botërorit.
“Është e padiskutueshme që ajo sjell kualitet. Por neve na duhen lojtare 100 për qind të gatshme. Ajo është lojtare e rëndësishme për të ardhmen. Por ajo duhet të investojë më shumë. Nuk ka motivim më të madh se Evropiani në shtëpi pas dy vjetësh”, ka thënë Grings.
Edhe
Xhemaili arsyeton besimin, e premton maksimumin në Evropian
Xhemaili nuk e ka pranuar lehtë vendimin.
“Ishte një vendim i vështirë, aq më tepër që në javët e fundit ajo u paraqit mirë në përgatitje. Por ajo duhet të kuptojë se duhet të bëjë pak më shumë. Shpresoj që ajo të ngrihet përsëri. Ajo gjithashtu qau. Është e logjikshme që zemra e futbollistes të preket pak”, ka shtuar selektorja e Zvicrës.