Drejtori i Sassuolos, Giovanni Carnevali, konfirmon se Interi ka dëshiruar ta transferojë Giacomo Raspadorin dhe Gianluca Scamaccan në verë, por skuadra e Sassuolos nuk u pajtua për shitjen e tyre.
Interi e transferoi Romelu Lukakun te Chelsea gjatë afatit kalimtar veror, dhe të dy, Raspadori e Scamacca, u panë si alternativë për zëvendësimin e belgut.
“Marotta më ka pyetur për të dy, por ne kemi besim te lojtarët e rinj dhe e shitëm Francesco Caputon. Tani Giacomo dhe Gianluca do të kenë më shumë shanse për të treguar kualitetet që i posedojnë”, ka thënë drejtori Carnevali.
Nga Sassuolo këtë verë u largua edhe Manuel Locatelli, që u transferua te Juventusi.
Raspadori 21-vjeçar debutoi me Italinë në qershor në Evropianin 2020, ndërsa golin e parë me “azzurrët” e shënoi në ndeshjen kualifikuese të Botërorit kundër Lituanisë.
22-vjeçari Scamacca u rikthye te Sassuolo pas huazimit për një vit te Genoa. Me Genoan i shënoi 12 gola në 29 paraqitje në të gjitha garat.