Milot Rashica e shënoi golin e parë me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, qëkur debutoi në shtator të vitit 2016.
Po ashtu ishte edhe goli i parë për të me fanellën e “dardanëve” qëkur realizoi dy herë ndaj Maltës në udhëtim, në vitin 2021 në një miqësore.
Rashica të enjten mbrëma, në fitoren e Kosovës ndaj Burkina Fasos 5:0 në miqësore, shënoi golin e katërt të përfaqësueses, ndërsa asistoi në golin e tretë të realizuar nga Mërgim Vojvoda.
“Më në fund arrita të shënojë, pak për t’u çuditur sepse kam luajtur shumë ndeshje këtu. Jemi bashkë për 3-4 ditë, dhe çdo trajner sjellë frymë të re, ka filozofinë e vet. Jemi munduar sado pak që përmes analizave, videove, ushtrimeve në fushë, ta kuptojmë se çfarë kërkon trajneri i ri dhe cilën lojë dëshiron ta zhvillojë. Sot i shfrytëzuam disa raste që i patëm, i shënuam rastet që i patëm dhe kontrolluam lojën. Ndeshja me Zvicrën nuk do të jetë e lehtë, luajmë me kundërshtar të fortë. Dihet që ka shumë shqiptarë atje, stadiumi do të jetë i stërmbushur. Si në çdo ndeshje, hyjmë për të fituar, ta luajmë lojën tonë, pse jo edhe të fitojmë”, tha Rashica fillimisht.
Ai foli edhe për objektivat e tij me Norwichin në Premier Leaguen e Anglisë.
“Personalisht, kam zhvilluar ndeshje të mira, por nuk kemi fituar shumë pikë. Nuk ka përfunduar ende asgjë. Do të mundohemi të japim maksimumin, të futemi në çdo lojë për tri pikë dhe të shohim se çfarë do të ndodh në fund. Nuk do të dorëzohemi deri në ndeshjen e fundit”, theksoi Rashica.