Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rashica firmos me Norwichin, realizon ëndrrën që të luajë në Premier League

Reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica, do ta vazhdojë karrierën në kampionatin më të vlerësuar të futbollit. Lojtari i krahut, Rashica, të martën ka firmosur me Norwich Cityn, që garon në Premier Leaguen e Anglisë.

Norwichi është promovuar në elitën angleze për edicionin e ardhshëm, duke fituar Championshipin në edicionin tashmë të përfunduar.

Rashica te Norwichi është transferuar nga Werder Bremeni, që nuk ia doli të siguronte mbetjen në elitën gjermane.

24-vjeçari Rashica ka firmosur për katër vjet me skuadrën angleze, ndërsa shuma e transferimit nuk është bërë e ditur nga Norwichi. Por sipas “kicker.de”, mediumit serioz gjerman, Rashica është transferuar për 11 milionë euro. Werderi mund të fitojë edhe dy milionë të tjerë në bonuse.

Rashica është larguar nga Werderi pas 3.5 vjetësh. Ai ka shënuar 27 gola në 100 ndeshje në të gjitha garat për Werderin.

Edhe Rashica në Premier League Sport Rashica në Premier League

“Jam vërtet i entuziazmuar të luaj para tifozëve të Norwichit dhe në Premier League. Natyrisht se do të jap më të mirën për këtë klub në çdo ndeshje. Shpresoj të gëzoj tifozët me shumë gola dhe asistime. Mezi pres të filloj”, ka thënë Rashica për sajtin zyrtar të klubit të ri.

Ka kohë që pritej transferimi i Rashicës nga Werderi. Për të interesim kishin shprehur skuadra të shumta në liga të ndryshme evropiane. Janë përmendur skuadra dukshëm më të mëdha, por ai në fund vendosi për Norwichin. Telashet që kishte me formë në edicionin e fundit kanë limituar opsionet për Rashicën dhe Werder Bremenin, që planifikonte të fitonte një shumë të madhe nga transferimi i kosovarit.

“I di disa gjëra për klubin, sidomos për stilin e lojës nën urdhrat e trajnerit Daniel Farke. Dua të vazhdoj të mësoj dhe të zhvillohem si lojtar dhe si person. Mendoj se stili i lojës këtu do të më përshtatet shumë mirë”, ka theksuar Rashica.

Vushtrriasi e di se cilat janë pritjet e anglezëve prej tij.

“Kam folur me trajnerin dhe e di se çka dëshiron ai të shohë prej meje. Bisedat me të kanë qenë ndihmë e madhe dhe jam shumë i entuziazmuar. Nuk njoh lojtarët dhe anëtarët e stafit, por kam shumë shokë të lojës dhe shokë këtu në Gjermani që kanë folur gjëra të mira për Norwich Cityn dhe mënyrën si funksionon klubi”.

Edhe Rashica mund të kthehet në Gjermani Futboll Rashica mund të kthehet në Gjermani

Rashica ka thënë se ka parë shumë ndeshje të Norwichit në Premier League. Ka theksuar se kalimin në kampionatin anglez e ka ëndërruar gjithmonë.

“Gjithnjë ishte ëndërr për mua që të luaj në Premier League dhe jam shumë i lumtur që Norwichi ma ka dhënë këtë mundësi të madhe”.

Rashica ka luajtur disa ndeshje në Angli. Me Vitessen ka luajtur ndaj Southamptonit në kualifikimet e Ligës së Evropës. Ka luajtur po ashtu disa miqësore ndaj ekipeve angleze. Ai ka edhe familjarë në Londër. Thotë se mezi pret që të vendoset në Angli që të jetë më afër tyre dhe të provojë diçka të re.

Rashica kishte shkëlqyer te Werderi, por ka kohë që ka kërkuar përvojë të re. Ai te Kosova i ka 32 ndeshje dhe gjashtë gola të shënuar. Para Werderit ka luajtur te Vitesse, ku u transferua nga Vushtrria. Tani ka bërë hap tjetër në karrierë.

“Me Milotin kemi një lojtar interesant dhe jemi të lumtur që ishim në gjendje ta sillnim atë në Norwich. Shumë klube të mëdha ishin të interesuara për të në edicionet e fundit dhe ai është lidhur shpesh me transferime për shuma të mëdha. Në Gjermani ai ka kaluar kohë te Werder Bremeni, që ka vuajtur pak në edicionin e fundit. Por Miloti është lojtar me shumë potencial. Ai është i shpejtë dhe i mençur në lëvizjet e tij. Teknikisht është i mirë dhe shumë i mirë në përfundimin e aksioneve dhe në asistim të golave”, ka thënë trajneri i Norwichit, gjermani Daniel Farke. Ai ka pranuar se Miloti mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme në sulm. Farke është i bindur se Rashica do të përshtatet në ekipin e tij. Dhe pret që Rashica ta përmirësojë lojën ofensive të skuadrës.

Edhe Norwichi nuk e ul çmimin për Rashicën, i cili insiston t’i bashkohet Galatasarayt Sport Norwichi nuk e ul çmimin për Rashicën, i cili insiston t’i bashkohet Galatasarayt

“Ai mund të luajë në pozita të shumta, në krah, si sulmues apo numër dhjetë. Është lojtar i shkathët dhe ne jemi të lumtur që ishim në gjendje të sillnim një lojtar me kualitet”, ka thënë Farke.

Norwich City është klub i themeluar në vitin 1902. Nuk është prej klubeve të mëdha angleze, por kalimi nga skuadra e Bundesliga 2 në skuadër të Premier Leagues është hap i mirë për Rashicën, ndonëse kishte pritje që ai të bashkohej me ndonjë skuadër më të madhe.