Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rashani thotë se Clermonti e meritoi fitoren

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Elbasan Rashani ka folur pas barazimit 2:2 të Clermontit ndaj Metzit, të dielën në kuadër të xhiros së katërt të Ligue 1.

Rashani në këtë takim ishte për herë të parë titullar dhe luajti deri në minutën e 72-të. Ai kontribuoi me një asistim dhe një gol për t’ia siguruar Clermontit një pikë, pasi ishte në disavantazh prej dy golave.

Rashani, fillimisht asistoi në golin e Mohamed Bayos (35’) që ngushtoi epërsinë, përpara se të shënoj në minutën e 58-të, për ta barazuar rezultatin. Pas katër ndeshjeve të luajtura në kampionatin francez, Rashani ka tri gola e dy asistime, ndërsa, Clermonti nuk di për humbje këtë sezon dhe ka tubuar tetë pikë.

“Kemi bërë një lojë mjaft të mirë në shtëpi, me tifozët që na kanë dhënë përkrahje të madhe në këtë ndeshje. Ishim të pafat në pjesën e parë, ku pranuam dy gola të shpejtë por arritëm të kthehemi. E Kemi merituar fitoren dhe nga kjo ndeshje është dashur të dalim me pikët e plota. Jemi pak të dëshpëruar që nuk morën fitore në këtë takim, pasi luajtëm mirë në pjesë e dytë dhe krijuam më shumë raste shënimi”, u shpreh Rashani. “Me një ekip me lojtarë tejet cilësor dhe në grup mbretëron një energji pozitive. Jemi një ekip i entuziazmuar me tifozë të mrekullueshëm, të cilët na kanë përkrahur në çdo ndeshje prej fillimit të kampionatit".

I pyetur për ndeshjen kundër Paris Saint-Germainit, të cilën Clermonti e luan në xhiron e pestë, më 12 shtator, Rashani ka thënë se shpreson në një paraqitje të madhe. Megjithatë, ai shtoi se tani do të jetë i fokusuar te Kosova, ku është i ftuar për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.

“Ndeshja e ardhshme, do të jetë grumbullimi me Kosovën për ndeshjet kualifikuese. Ndërsa, sa i përket ndeshjes kampionale kundër Parisit, besoj se do të jemi të gatshëm. Shpresoj të japim më të mirën nga vetja dhe të bëjmë një paraqitje të madhe ndaj PSG-së”, tha Rashani, i cili iu bashkua Clermontit gjatë kësaj vere.

Artikuj të ngjashëm