Elbasan Rashani është i kënaqur me formën që ka treguar këtë edicion në njërën prej pesë ligave më të forta në Evropë – Ligue 1 të Francës.
Por sulmuesi i krahut, që javën e kaluar pas ndeshjes Clermont – Bordeaux (1:1) u shpall lojtari më i mirë, synon të japë edhe më shumë kontribut për klubin.
Rashani e shpëtoi Clermonin nga disfata. Ai shënoi golin e barazimit në minutën e 32-të. Ishte goli i gjashtë i shënuar për sulmuesin anësor në elitën e futbollit francez në 22 paraqitje këtë edicion. Ka kontribuar edhe me tri asistime.
Pos golit që e shënoi nga afërsia, Rashani u vlerësua edhe për kontributin e dhënë në fushë. Është shkruar se ka qenë i përfshirë në shumë aksione në lojë e po ashtu është shquar edhe për duelet.
“Jam në formë të mirë dhe ndihem mirë. Kështu që më vjen mirë që po arrij ta jap kontributin për ekipin. Me rëndësi është të fitojmë sa më shumë pikë. Unë do të mundohem që të shënoj sa më shumë gola për ta ndihmuar ekipin të arrijë rezultate të mira”, ka thënë Rashani.
Futbollisti 28-vjeçar i ishte bashkuar Clermontit në korrik të vitit të kaluar nga skuadra turke, Erzurumspor. Më herët karrierë ka bërë në Norvegji dhe Danimarkë. Në Norvegji luajti për Oddsin dhe Rosenborgun, ndërsa në Danimarkë për Brondbyn.
Ai është i kënaqur me zhvillimin në karrierë e po ashtu edhe me kontributin në këtë edicion. Por shton se ka ende ndeshje ku mund t’i dëshmojë vlerat e tij.
“Gjashtë gola dhe tri asistime janë mirë. Por ka ende disa ndeshje para sete mbyllet ky sezon, kështu që nuk dihet, mund të shënoj edhe më shumë. Do të bëj përpjekje maksimale që ta ndihmoj me sa më shumë gola dhe asistime klubin. E rëndësishme për ne është që të arrihen synimet tona si ekip”, ka thënë Rashani.
Rashani, i lindur në Hillerstorp të Suedisë, ka luajtur për ekipet zinxhirë të Norvegjisë. Për U-21 të Norvegjisë ka luajtur 8 ndeshje, para se në vitin 2016 t’i bashkohej Kosovës. Për Kosovën ka luajtur 20 ndeshje deri më tani. Ai pret të marrë ftesë nga selektori i ri i Kosovës, Alain Giresse, për dy ndeshje miqësore të këtij muaji, atë kundër Burkina Fasos më 24 mars në Prishtinë dhe atë më 29 mars ndaj Zvicrës në Zuerich.
Clermonti i Rashanit për herë të parë po luan në elitën franceze. Rrjedhimisht synim e ka mbetjen në Ligue 1.
Aktualisht mban pozitën e 15-të me 28 pikë nga 26 ndeshje. Është gjashtë pikë zonës së rrezikshme, por ka edhe shumë ndeshje deri në fund.