Sport

Rangnick urdhëron lojtarët e Unitedit që të vaksinohen

Ralf Rangnick dëshiron që të gjithë lojtarët e Manchester Unitedit të vaksinohen plotësisht, pasi një shpërthim i koronavirusit ndërpreu edicionin e skuadrës.

Dy ndeshjet e fundit të Unitedit kundër Brentfordit dhe Brightonit u shtynë me Rangnickun që kishte më pak se 10 lojtarë të gatshëm për të dy ndeshjet. Qendra stërvitore e klubit “Carrington” është mbyllur dy herë.

Rangnick konfirmoi se 25 lojtarë u stërvitën të enjten pasi Unitedi u kthye në normalitet përpara ndeshjes të së hënës në udhëtim te Newcastle. Paul Pogba ishte i vetmi që mungoi, pasi francezi ende nuk është rikuperuar plotësisht nga një dëmtim në kofshë.

Trajneri i përkohshëm i Unitedit, Rangnick, këmbëngul se të gjitha klubet angleze duhet të inkurajojnë lojtarët e tyre që të vaksinohen plotësisht dhe të sillen me përgjegjësi të plotë për të mos lejuar përhapjen e variantit Omicron.

Premier League njoftoi këtë javë se 16 për qind e lojtarëve të ligës nuk janë fare të vaksinuar.

Rangnick tha se tashmë u ka bërë me dije të gjithë lojtarëve të Unitedit se duhet patjetër të vaksinohen plotësisht në mënyrë që të jenë të sigurt në këtë periudhë, kur rastet po shtohen dita-ditës nëpër klubet angleze.

“Premier League do të bëjë të pamundurën për ta mbajtur ligën të sigurt dhe situatën përreth të gjithë lojtarëve. Ne duhet të inkurajojmë lojtarët që të sillen me përgjegjësi në lidhje me kontaktet e përditshme që i kanë. Ne duhet të sigurohemi që të gjithë lojtarët të marrin dy dozat e vaksinave, pasi mendoj se kjo është më se e domosdoshme për të gjithë”, ka insistuar Rangnick. “Me sa di unë, ne kemi një bilanc të lartë të lojtarëve të vaksinuar në klubin tonë, por javët e fundit tregojnë se edhe nëse jeni vaksinuar dy ose tri herë, mund të prekeni nga virusi, veçanërisht nga varianti i ri i virusit. Por jeni të mbrojtur nga simptomat e rënda dhe shumica e lojtarëve tanë që rezultuan pozitivë, të paktën kishin simptoma shumë të dobëta dhe nuk vuajtën shumë. Siç e dini, ne patëm seancë stërvitore të enjten e shkuar. Kishim tetë lojtarë më pak dhe tre portierë, pastaj mbyllëm terrenin për katër ditë për shkak të virusit”.

Rangnick shtoi se gjërat gradualisht po i kthehen normalitetit, por të gjithë kanë një kujdes të shtuar.

“Ne kemi mbajtur stërvitjen e tretë këtë javë, pasi jemi kthyer të martën pas mbylljes së qendrës stërvitore. Dhe, në stërvitjen e fundit me krenari mund të them se i kisha në dispozicion 25 futbollistë, me përjashtim të Pogbas që është i lënduar”, është shprehur Rangnick. “Unë iu kam thënë lojtarëve se patjetër duhet të jenë të vaksinuar, sepse nuk dua që të rrezikojmë më shumë. Kështu që besoj se nuk do të kemi më telashe dhe nuk do të kërkojmë shtyrjen e ndeshjeve. Të dielën e kemi stërvitjen e fundit përpara se të nisemi drejt Newcastlet”.

Aktualisht Manchester Unitedi është i gjashti në tabelë me 27 pikë të mbledhura, 17 më pak se Manchester City që është lider, por ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara.