Trajneri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Ralf Rangnick, është i bindur se Paul Pogba ka luajtur ndeshjen e fundit për klubin pas lëndimit që e pësoi vetëm disa javë para se t’i skadojë kontrata me klubin.
Pogba, i cili prej datës 1 korrik do të jetë lojtar i lirë, u dëmtua në ndeshjen e fundit të Unitedit që e humbi nga Liverpooli me rezultatin 4:0. E me këtë lëndim, Pogba e ka përfunduar edhe sezonin para kohe.
“Pogba duket se e ka përfunduar sezonin për shkak se nuk do të jetë në gjendje të luajë shkaku i lëndimit”, tha Rangnick të premten.
“Atij i nevojiten disa javë për t’u rikuperuar dhe vështirë se do të mund ta ndihmojë ekipin. Po ashtu, besoj se Pogba ka luajtur ndeshjen e fundit me Unitedin”.
Pogba u rikthye tek Unitedi në vitin 2016 nga Juventusi, ndërsa së fundmi është në negociata me ekipin italian. Po ashtu për Pogban interesim kanë shprehur edhe Real Madridi e Paris Saint-Germaini.