Mesfushori Aaron Ramsey nuk do të largohet në afatin kalimtar të janarit nga skuadra e Juventusit pasi trajneri i ekipit nga Serie A, Andrea Pirlo e ka konfirmuar uellsianin të paktën deri në fund të këtij edicioni.
Kështu, kanë raportuar të dielën mediumet italiane. Më herët ishte raportuar se Ramsey do të largohet nga Juventusi për t’u kthyer në Premier League për shkak se nuk ka arritur të adaptohet në kampionatin italian.
Madje, interesim për të kishin shprehur Manchester Unitedi e Tottenhami. “Për ne, Ramsey është shumë i rëndësishëm dhe nuk do të largohet nga Juventusi në janar pasi unë preferoj ta kem gjithmonë në fushë një lojtar me karakteristikat e tij”, ka thënë Pirlo.
Ramsey këtë edicion ka 12 paraqitje dhe dy asistime në të gjitha garat me Juventusin. 29-vjeçari, iu bashkua ekipit italian vitin e shkuar si futbollist i lirë dhe ka kontratë deri në vitin 2023.