Duke proklamuar veten “plot shpresë dhe dëshirë” për lavdi të freskët, veterani spanjoll Sergio Ramos këmbënguli se ai u bashkua me Paris Saint-Germainin në muzg të karrierës së tij me synimin për të fituar për herën e pestë në karrierë trofeun e Ligës së Kampionëve.
“Pse PSG-ja? Sepse është kënaqësi të jem këtu. Prioriteti ishte një projekt i madh sportiv”, tha Ramos, që tashmë ka filluar të stërvitet me ekipin francez. “Kjo skuadër ka kaq shumë yje. Ky ishte vendimi më i mirë, por mbi të gjitha ekziston vullneti i këtij ekipi për të fituar”.
Ramos, 35-vjeçar, u transferua si adoleshent te Real Madridi nga Sevilla dhe ishte shtylla kryesore në mbrojtjen e klubit madrilen për 16 sezone. Javën e kaluar ai nënshkroi një kontratë dyvjeçare me PSG-në dhe fituesi i Kupës së Botës menjëherë ka synime të mëdha. Ai me ekipin francez dëshiron ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve, i cili do të ishte i pari në histori të PSG-së.
“Në futboll nuk mund të qëndrosh me të kaluarën”, tha Ramos, duke aluduar në sukseset e tij me Real Madridin. “Unë jam këtu për të ndihmuar ekipin dhe të përpiqem ta fitoj përsëri Championsin. Unë kam qenë një fitues në jetën time dhe dua të vazhdoj të fitoj, nuk jam këtu për të pushuar. Po filloj përsëri me të njëjtën ambicie dhe me të njëjtën shpresë që kam pasur gjithmonë. Unë gjithmonë e kam këtë dëshirë. Pagat nuk ishin asnjëherë çështje, ne ramë dakord për kushtet shpejt”.
Pasi iu bashkua PSG-së, Ramos zbuloi se kishte një “bisedë të mirë” me trajnerin Mauricio Pochettino, që e bëri atë të ndiejë se aventura parisiene ishte e duhura për të.
“Unë e njoh kampionatin francez. Unë e dua futbollin, kështu që e di sikur e njoh Premier Leaguen”, tha Ramos, i cili u la jashtë ekipit të Spanjës për “Euro 2020”. “Ka shumë lojtarë të talentuar dhe nuk do të jetë e lehtë. Ne gjithashtu duhet të rimarrim titullin e kampionit, pasi e humbëm nga Lille për një pikë sezonin e kaluar. Ne do të përpiqemi të fitojmë gjithçka. Kjo është ajo që kërkon ky klub”.
Ramos gjithashtu tha se ai shpreson të luajë te skuadra e Parisit përkrah yllit të Francës, Kylian Mbappes, i cili thuhet se po kërkohet nga Real Madridi. Mbappe ende nuk e ka të sigurt qëndrimin te PSG-ja, pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon verën e ardhshme.
“Unë respektoj çdo vendim të tij. Por, mua më pëlqen të luaj me lojtarët më të mirë dhe nëse ai qëndron unë do të doja të luaja së bashku me të”, tha Ramos mes shenjave që 22-vjeçari bëri me dije se Mbappe do të jetë pjesë e PSG-s edhe për sezonin e ri.