Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ramos mbush 35 vjet dhe kundër Kosovës pritet ta luajë ndeshjen e 180-të për Spanjën

Kapiteni i Spanjës dhe i Real Madridit, Sergio Ramos, ka mbushur 35 vjet të martën. Gjysmën e viteve i ka kaluar si pjesë e Spanjës, për të cilën ka debutuar në mars të vitit 2005, ka shkruar “Marca” të martën.

Për Spanjën kishte debutuar më 26 mars 2005, në miqësoren kundër Kinës, të fituar 3:0. Kishte debutuar kur i kishte 18 vjet e 361 ditë. Ai është kthyer këtë javë në Sevilla, qytetin e tij, dhe të mërkurën pritet të arrijë shifër jubilare – të luajë ndeshjen e 180-të për përfaqësuesen.

Ndeshja e 180-të e Ramosit me Spanjën mund të jetë ajo kundër Kosovës, që luhet në Sevilla, qytetin ku mbrojtësi i qendrës është rritur dhe është zhvilluar si lojtar. Ramos nuk u aktivizua të dielën kundër Gjeorgjisë dhe mbeti në shifrën e 179 ndeshjeve me përfaqësuese. Spanja arriti fitore shumë të vështirë ndaj Gjeorgjisë, duke realizuar gol në kohën shtesë për 2:1.

Ramos është njëri prej tre lojtarëve që kanë luajtur për 17 vjet rresht për Spanjën. Portierët Ricardo Zamora e Iker Casillas kanë luajtur përgjatë 17 vjetëve po ashtu. Ramos është rekordmen sa i takon numrit të paraqitjeve. Në 179 ndeshje ka realizuar 23 gola, ndërsa portieri ikonik, Iker Casillas, është i dyti në listë me 167 ndeshje. Të tjerët janë larg. Xavi mban vendin e tretë me 133 ndeshje e më pas është Andreas Iniseta me 131 ndeshje. Të gjithë këta kanë dhënë shumë për futbollin spanjoll. Ramos vazhdon të japë ende. Prej lojtarëve aktualë, pas Ramosit më së larti në listë është Sergio Busquets me 121 ndeshje.

“Në shtëpi dhe një ditë pasi të festojë ditëlindjen e 35-të kapiteni i Spanjës mund të arrijë shifrën e 180 ndeshjeve kundër Kosovës. Kjo nënkupton se ai do të jetë vetëm katër ndeshje larg synimit që ia ka vënë vetes shumë më herët, që të jetë futbollisti me më së shumti ndeshje për vendin e vet në histori. Në fron ende është egjiptiani Ahmed Hassan. Pasi nuk ka luajtur në Tbilisi, Luis Enrique ka shpjeguar se Sergio nuk ka ndonjë problem. Kështu që pritet të aktivizohet. Në shtëpi, për ditëlindje”, ka shkruar “Marca”.

Ahmed Hassan i Egjiptit i ka 184 ndeshje për përfaqësuese. Pasojnë Bader Al-Mutawa i Kuvajtit (181 ndeshje), Ahmet Mubarek i Omanit (180 ndeshje) dhe Ramos. Spanjolli natyrisht është bindshëm më i njohuri dhe më i suksesshmi prej tyre.

Ramos po shikon para për suksese të reja, pas arritjeve të jashtëzakonshme me Spanjën e me Real Madridin, tek e cila skuadër është legjendë dhe luan që nga viti 2005.

Ai planifikon të luajë në Evropianin e katërt dhe të vendosë rekordin për më së shumti paraqitje prej futbollistëve spanjollë. Iniesta e Cesc Fabregas kanë nga 16 ndeshje në kampionate evropiane, nga një më shumë se Ramos. Mbrojtësi i famshëm planifikon të luajë edhe në Botërorin e vitit të ardhshëm. Dhe po ashtu të vendosë rekord të paraqitjeve sa u takon lojtarëve spanjollë. Aktualisht rekordin e ndan me Casillasin, me nga 17 ndeshje.

Artikuj të ngjashëm