Për të kuptuar jetëgjatësinë dhe sukseset e shumta të Sergio Ramosit, nuk duhet shikuar larg. CV-ja e tij shfaqet me krenari në të gjithë trupin e mbrojtësit, që pothuajse e ka të mbuluar me tatuazhe dhe nuk mbetet hapësirë për ndonjë tjetër.
Në nyje të dorës së tij të majtë janë numrat 35, 19 dhe +90, të cilët respektivisht u referohen fanellave që ai veshi kur e nisi karrierën me Sevillan, numrit që e përdori në debutim te Spanja dhe golin e shënuar në kohën shtesë në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2014.
Ramos në minutat shtesë barazoi rezultatin me golin e shënuar ndaj Atletico Madridit derisa në vazhdime Reali triumfoi 4:1 për të rrëmbyer trofeun e dhjetë të Championsit. Në të njëjtën dorë ka datat e lindjes së katër djemve të tij.
Në krahët e tij janë emrat e prindërve të tij. Në të majtën, ditën kur ai nënshkroi për Real Madridin (31 gusht 2005) dhe në bicepsin e majtë një trofe që përfaqëson Kupën e Botës të fituar me Spanjën. Ndoshta një karton i kuq – prej 26 në karrierë që i ka marrë – është një lëshim në trupin e mbushur me tatuazhe të Ramosit.
Nëse mbishkrimi tjetër në trup përkundër hapësirave të vogla do të jetë i lidhur me Real Madridin është një çështje që gjithnjë e më shumë po i shton dyshimet. Qendërmbrojtësi 35-vjeçar ka kontratë me Realin deri në fund të këtij edicioni dhe ende nuk ka asnjë sinjal se një marrëveshje e re mes palëve po arrihet. E ardhmja e një prej marrëdhënieve më të suksesshme moderne të futbollit evropian kapiten-klub mund të jetë në përfundim.
Ramos në 16 vjetët e tij te Real Madridi asnjëherë nuk ka qenë kaq afër largimit nga klubi në të cilin vlerësohet si ikonë. Ramos ka qenë një nga mbrojtësit më të mëdhenj modernë për një dekadë e gjysmë, një simbol i ndjekjes së vazhdueshme të suksesit të Real Madridit, dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai ka ndarë mendime - madje edhe në sallën e bordit të klubit të tij. Ai u bë lojtari më i ri në 64 vjet që bëri debutimin e tij me Spanjën dhe lista e sukseseve të tij përfshin katër Liga të Kampionëve, pesë La Liga, një Kupë Bote dhe dy Kampionate Evropiane.
Nëse ka pasur një moment që përcakton personalitetin e tij më shumë se çdo tjetër, ishte vendimi i tij për të marrë përgjegjësinë për të gjuajtur një penallti në stilin “Panenka” në gjysmëfinale të “Euro 2012” Portugalisë. Vetëm gjashtë javë më parë ai kishte humbur një penallti në të njëjtën mënyrë kundër Bayern Munchenit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Real Madrid u eliminua dhe penalltia e tij ishte e vetmja nga 21 që u prit.
Megjithatë, ai realizoi në të njëjtën mënyrë kundër Portugalisë. Në mendjen e tij, gabimet janë vetëm pjesë e udhëtimit, duke shtuar edhe postimin e tij kohët e fundit në mediat sociale se “ajo që na përcakton nuk janë gabimet tona, por mënyra se si përballemi me objektivat e ardhshëm”. Pak mbrojtës kanë pasur ndikimin e tij në të dy zonat e penalltisë në historinë e futbollit, dhe Ramos është i vendosur të kapërcejë historinë me gola dhe rekorde. Ai është shënuesi i shtatë më i mirë i Realit që nga fundi i mijëvjeçarit dhe ka shënuar më shumë se çdo mbrojtës tjetër që luan në pesë ligat më të mira të Evropës që nga viti 2005. E përditshmja sportive “Diario AS” e përshkroi Ramosin si një “qendërmbrojtës me shpirtin e një numri nëntë”.
Ai ka shënuar gjithsej 126 gola në 891 ndeshje të luajtura për Sevillan, Real Madridin dhe Spanjën. Sezonin e kaluar nga roli i qendërmbrojtësit, ai ishte shënuesi i dytë më i mirë i klubit (pas Karim Benzemas me 27 gola), me 13 gola të shënuar në të gjitha garat. Jeta e tij jashtë fushës është po aq historike sa ajo në të. Prania e tij në mediat paraqet një pamje të një milioneri të çuditshëm: nga zgjedhja e tij e rrobave, te një dasmë e stilit të “Hollywoodit” me Pilar Rubion, te blerja e një pallati me vlerë rreth 12 milionë eurosh dhe e cila është vetëm pjesë e një portofoli të madh të pronave që e vë pasurinë e tij mbi 100 milionë euro. Ai është dikush që përqafoi idenë e të qenit kapiten që nga fillimi i karrierës së tij me Real Madridin.
Kur ai arriti nga Sevilla në vitin 2005 me 19 vjeç, Ramos deklaroi se donte të ishte kapiten dhe të ndiqte hapat e legjendës si Fernando Hierro. Ai ka arritur ta bëjë këtë dhe pa dyshim që ka vendin e tij në mesin e legjendave të klubit, çfarëdo që të tjerët në botën e futbollit mund të mendojnë për të. Atëherë, përse e ardhmja e tij është kaq e pasigurt?
Mst: Mungesa e respektit në negociatat për vazhdimin e bashkëpunimit
Me 161 ditë të mbetura në kontratën e tij, Ramos është i lirë të flasë me klube të tjera në lidhje me një transferim falas në verë. Ai ka bërë të ditur se dëshiron të qëndrojë te Real Madridi për pjesën tjetër të karrierës së tij, ndërsa klubi ka deklaruar se nuk do që ai të largohet. Mirëpo, nuk është asgjë kaq e thjeshtë siç po flitet nga të dyja palët. Natyrisht, kur flasim për një klub si Real Madridi, gjërat nuk janë kurrë kaq të thjeshta.
Negociatat gjithnjë e më shumë po bëhen të trazuara midis Ramosit e presidentit Florentino Perez. Por ndryshimi kësaj radhe është se ato biseda nuk kanë ardhur kurrë kaq pranë distancimit të palëve. Përfaqësuesit e Ramosit insistojnë se nuk ka pasur asnjë ofertë për vazhdimin e kontratës nga ana e klubit. Dhe Ramos ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të dëgjojë oferta nga klubet tjera dhe nuk është në treg tani për tani. Ai dëshiron të qëndrojë për pjesën e mbetur të karrierës së tij dhe po kërkon një marrëveshje dyvjeçare me shumën që po e fiton aktualisht, 12 milionë euro në vit neto. Problemi është se, siç qëndrojnë gjërat, përveç bisedave joformale të zhvilluara mes tij dhe Perezit nuk ka asgjë të prekshme në tryezë që Ramos të pranojë ose të refuzojë.
Ramos është aq i etur për t’i mbetur besnik Realit dhe për të demonstruar këtë, ai i ka sugjeruar klubit që duke pasur parasysh pandeminë e koronavirusit, është i përgatitur që pagat e tij të shtyhen për dy vjet dhe pastaj t'i paguhen. Kjo që pretendojnë njerëzit e tij është pikërisht marrëveshja e arritur midis Barcelonës dhe Gerard Piques. Përveç, shtojnë ata, që qendërmbrojtësi i Barcelonës insistoi që një interes prej tre për qind të shtohet kur pagat të paguhen përfundimisht. Burime pranë lojtarit gjithashtu pretendojnë se Ramosit i është thënë se çdo kontratë e re është e kushtëzuar nga klubi që të marrë ndihmën e tij për të bindur skuadrën që të bien dakord për një ulje të mëtejshme prej 10 për qind të pagave për shkak të koronavirusit, ulja e dytë që nga fillimi i pandemisë.
Atij gjithashtu i kërkohet të faktorizojë atë përqindje të prerë në marrëveshjen e tij të re, ndërsa Ramos do të donte të njëjtat para që po fiton tani, dhe më pas një negociatë për shkurtimin e lidhur me Covid-19. Atij vazhdimisht i thuhet se klubi po lufton me paratë. Ajo që shqetëson Ramosin është se që nga pandemia mbrojtësit Dani Carvajal i është rritur paga nga 4.5 në tetë milionë euro dhe mesfushorit Toni Kroos nga shtatë në 8.5 milionë euro në kontratat e reja. Klubi në lidhje me Ramosin insiston se i sheh gjërat krejtësisht ndryshe.
Sipas klubit, Ramos e ka pasur një ofertë në tryezë që nga marsi i vitit të shkuar. Një ofertë për një vit që do ta shihte Ramosin të qëndrojë në klub me pagën e njëjtë. Nëse ai ishte i përgatitur të pranonte një ulje prej 10 për qind, ata do t'i ofronin një marrëveshje dyvjeçare. Por, për çdo rast, Reali duhet të kërkojë alternativa dhe është një pretendues i ri për pasardhës të Ramosit te Reali. Bëhet fjalë për Pau Torresin e Villarrealit, me 23-vjeçarin që ka një klauzolë lirimi në vlerë prej 50 milionë eurosh. Ndërkohë, opsion tjetër mbetet edhe David Alaba, të cilit i skadon kontrata me Bayernin në verë.
Distancimi po vazhdon
Marrëdhënia midis Perezit dhe Ramosit, dy figura kryesore në Real Madrid, ka qenë prej kohësh një lidhje komplekse. Për vite Perez është bërë gjithnjë e më i shqetësuar për ndikimin në rritje të ushtruar nga Ramosi në zhveshtore dhe për këtë arsye ai pati synuar ta largonte nga klubi para disa vjetësh. Mirëpo realiteti është se Perez kishte nevojë për Ramosin pasi ai ndihmonte që atmosfera në zhveshtoren e klubit mos të dilte nga kontrolli.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Ramosin, i cili është kapiten dhe lider i ekipit tonë. Ai është dhe mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm për Real Madridin”, ka thënë së fundi Perez kur është pyetur për të ardhmen e kapitenit.
Ramos tani e gjen veten si udhëheqësi në fushë i një grupi të moshuar, një grup lojtarësh që shpesh e kanë të vështirë të motivojnë veten për ndonjë gjë tjetër përveç ndeshjeve më të mëdha dhe në një skuadër që nuk mund të rinovohet për momentin. Perez e di që Ramos është udhëheqësi i vetëm i vërtetë, sigurisht që nga largimi i Cristiano Ronaldos, që ai e ka në klub. Perez ka nevojë për Ramosin.
Në sytë e atyre që e duan Ramosin, ai është bërë pothuajse një model se si duhet të jetë një kapiten. Kështu që, me kalimin e kohës po rriten edhe dyshimet për të ardhmen e Ramosit. Mediumet spanjolle po insistojnë se te Real Madridi ende e konsiderojnë Ramosin si lojtar të klubit dhe kështu do të veprojnë deri në muajin mars. Nëse në këtë muaj Ramos nuk e pranon ofertën për të vazhduar bashkëpunimin, atëherë te Reali do të pajtohen me fatin se periudha e qendërmbrojtësit spanjoll në klubin madrilen ka përfunduar. Ramos ka kërcënuar të fillojë negociatat me klubet e tjera deri në muajin shkurt nëse nuk vjen oferta konkrete që po e kërkon prej klubit.
“Pra, për momentin, bllokimi vazhdon”, ka shkruar “Diario AS”.