Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ramadani përgëzon Prishtinën, thotë se Gjilani nuk pati fat

Zekirija Ramadani

Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani ka thënë se ekipi i tij nuk pati fat në finalen e Kupës së Kosovës. Gjilani, të hënën u mposht 2:0 nga Prishtina dhe Ramadani pranoi se kryeqytetasit fituan me meritë për çka edhe i përgëzoi.

Ramadani në intervistën pas ndeshjes për ArtMotion, shtoi se ishte një finale e vërtetë dhe të dyja skuadrat shfaqën dëshirën ta fitojnë ndeshjen, por në fund triumfoi Prishtina. Gjithashtu, Ramadani e mori përgjegjësinë mbi vete për humbjen e finales përball Prishtinës.

“Ishte një derbi i vërtetë, një finale e vërtetë me shumë frymë sportive. Dy skuadrat patën dëshirë ta fitojnë ndeshjen por fitoi Prishtina dhe e përgëzoj. Normal që jam i mërzitur për humbjen, por për të arritur deri në finale pas gjithë problemeve që kemi pasur është një sukses i madh”, ka thënë Ramadani. “Mendoj se e dhamë maksimumin, por nuk patëm fat në këtë finale. Nuk pati shumë raste, por Prishtina shfrytëzoi rastet e saj. Nëse kërkohet përgjegjës për këtë humbje, unë jam përgjegjës pasi futbollistët dhanë maksimumin e tyre. Për të arritur deri këtu me këtë kontingjent është mrekulli në vete”.