Trajneri Zekirija Ramadani ka përgëzuar lojtarët e Dritës për angazhimin dhe fitoren ndaj kampionit të Kosovës, Ballkanit. Por Ramadani ka kritikuar ashpër gjyqtarin kryesor të derbit që u zhvillua në Gjilan, Ilir Mehmetin.
Ramadani tha se gjyqtari Mehmeti ishte skandaloz.
“Ishte një fitore e merituar. Objektivi që kishim u arrit me mund dhe sakrificë nga lojtarët e Dritës. Nuk ka ndeshje pa tension, por sigurisht se në derbi është edhe më i madh. Edhe Ballkani edhe ne patëm paraqitje të mirë, por sot ishim ne ata që merituam fitoren. I vetmi ishte gjyqtari që nuk meriton përgëzim. Ishte skandaloz për të dyja ekipet. Na ka dëmtuar shumë, sidomos në kartonin që ndau për Blerim Krasniqin dhe unë nuk arrita të përmbahem duke parë që i bëhet dëm ekipit dhe neve. Nuk kemi bërë asgjë të veçantë, kemi bërë detyrën tonë dhe tash na pret ndeshje tjetër pas tre ditësh”, ka thënë Ramadani.
Ai u ka bërë thirrje “Intelektualëve” të kthehen në tribuna dhe ta përkrahin Dritën.
“Kjo lojë, angazhim dhe fitore është një ftesë për ‘Intelektualët’ që të kthehen në tribuna. Ta lënë anash mërzinë dhe të kthehen t’i mbështesin këta lojtarë, sepse siç na duhen neve, u duhemi edhe ne atyre”, ka theksuar Ramadani.
Me fitoren ndaj Ballkani që është lider në Superligë, Drita tani është katër pikë larg vendit të parë.