Brenda pesë minutave klubi i futbollit Ferronikeli të hënën pasdite dha dy njoftime. Të parin për shkarkimin e trajnerit nga Shqipëria, Sulejman Starova, dhe të dytin për emërimin e trajnerit shqiptar nga Maqedonia, Zekirija Ramadani.
Ramadani edicionin e kaluar drejtoi në 11 ndeshje skuadrën nga Drenasi. Kështu për ish-trajnerin e Shkupit është hera e dytë që punon te Ferronikeli, shkruan sot “Koha Ditore”. Por kësaj here me synime të mëdha - ta bëjë kampion. Punën për t'i arritur qëllimet që ka klubi do ta nis të mërkurën.
“E njoh atë mjedis dhe kam besim të madh te futbollistët. Me mbështetjen që më ka dhënë kryesia dhe përkrahjen e shikuesve, mendoj që mund të arrihen objektivat, gjithnjë nëse të gjithë së bashku japim maksimumin. Jam i bindur që Ferronikeli është më i fortë se në edicionin e kaluar, por këtë fillimedicioni nuk janë vënë ende në pah kualitetet e lojtarëve”, ka thënë Ramadani të hënën për gazetën.
Ferronikeli e shkarkoi Starovën me arsyetim “për rezultate të dobëta” të treguara gjatë kohës sa ka drejtuar skuadrën. Por shkarkimi u bë në një moment paksa të pazakontë, pas fitores. Ferronikeli të shtunën fitoi 1:0 ndaj Ballkanit, ndërsa klubi të hënën dha njoftimin për shkarkimin e trajnerit të njohur... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)