Atletët dhe trajneri i klubit Rogana kanë bojkotuar ceremoninë e Federatës së Atletikës, duke vlerësuar se ajo nuk ka ndarë çmimet drejt
Muhamet Ramadani është shpallur atleti më i mirë i vitit 2021 në Kosovë.
Shpalljen e më të mirëve në “mbretëreshën e sporteve” e ka bërë Federata Atletike e Kosovës, të dielën.
Atletja më e mirë e vitit u shpall Gresa Bakraqi.
Ramadani i klubit “Mitrovica”, fitoi garën me dy atletët e klubit Rogana, Musa Hajdari dhe Astrit Kryeziu.
Hedhësi i gjyles nga Mitrovica është ndarë i kënaqur me vlerësimin, ndërsa ka premtuar suksese edhe më të mëdha në vitin 2022.
“E falënderoj Federatën për çmimin, po ashtu falënderim të veçantë për babin, njëherësh edhe trajnerin tim, Shabanin, i cili gjatë këtyre gjashtë vjetëve ka bërë shumë, që ndoshta rrallëkush ka bërë aq shumë. Viti 2021 ka qenë më i suksesshmi, kam fituar medalje. Suksesi më i madh është kampion i Evropës. Edhe në botëror kemi pritur medalje, por ngarkesat kanë ndikuar në suksesin në botëror. Në vitin 2022 presim suksese, ndoshta edhe më mirë se ky vit”, ka thënë Muhamet Ramadani.
Ramadani vazhdon me rezultate të mira në hedhje të gjyles. Ai në vitin 2021 fitoi titullin e kampionit të Evropës në grupmoshën U-20. Pos titullit të Evropës ka edhe dy tituj ballkanikë për grupmoshën U-20 dhe një medalje të bronztë në kampionatin kontinental për shtete të vogla, në grupmoshën e seniorëve.
Për të arriturat e Muhametit mirënjohje të posaçme ka marrë Shaban Ramadani.
Klubi më i mirë për vitin 2021 u shpall Mitrovica.
Edhe Gresa Bakraqi e ka cilësuar të mirë vitin 2021. Ajo ka arritur disa suksese në garat ndërkombëtare dhe vendore.
“Vit shumë dinamik, miks ndjenjash, stërvitje, lodhje, ngarkesa, pengesa, humbje, fitore dhe në fund shpërblimi. Ndihem shumë e lumtur pasi çdo vit e nisi me tri qëllime kryesore, të përmirësoj rezultatet e vitit paraprak, qëllimi i dytë ka qenë të jem bursiste olimpike dhe i treti që unë të fokusohem në disiplinat e mia përkatëse, pasi këtë vit ka qenë miks i disiplinave. Tani ka ardhur koha që unë të fokusohem në disiplinat që i përkas, pra 3.000 metra me pengesa dhe disiplina të gjata”, ka theksuar atletja e klubit Besa nga Peja.
Trajneri më i mirë i vitit u shpall Zijadin Kryeziu i Roganës. Por, Kryeziu dhe atletët e klubit nga Kamenica bojkotuan ceremoninë, me arsyetimin se vlerësimi nga Federata Atletike e Kosovës nuk ka qenë korrekt.
Punëtori më i mirë i vitit u shpall Adrian Mazreku i klubit Malisheva. Ai vlerëson se ky çmim i është dhënë falë kontributit që atletika ta ketë një shteg në shfrytëzim për gara vendore. Shtegu i atletikës është ndërtuar në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
“Unë me FAK-un dhe Komunën e Malishevës arritëm që të ndërtojmë një shteg të atletikës përveç atij që e kemi pasur në Mitrovicë. Andaj edhe kjo është arsyeja pse jam shpërblyer me mirënjohje të tillë dhe tani e tutje unë do të angazhohem që edhe në vende të tjera të Kosovës të kemi shtigje të atletikës”, ka thënë Mazreku.
I kënaqur me përparimin e sportit të atletikës është ndarë i pari i FAK-ut, Halil Sylejmani.
“E dimë që rezultatet në atletikë nuk mund të arrihen shumë shpejt apo për një natë, por na gëzon fakti që po shohim përparim në zhvillimin e atletikës”, ka thënë Sylejmani.
Në ceremoninë e organizuar të dielën janë shpërblyer për të arriturat e tyre në garat vendore e ndërkombëtare edhe shumë atletë të rinj, ndërsa janë ndarë edhe mirënjohje të ndryshme.