Prej katër klubeve sa i ka udhëhequr në Kosovë, Zekirija Ramadani ka fituar tre tituj të kampionit. Suksesin në Kosovë e ka arritur me tri skuadra të ndryshme. E titullin e katërt Ramadani e synon me klubin e futbollit Drita. Ai e vlerëson të vështirë garën për titull, por jo edhe mision të pamundur. 45-vjeçari në postin e trajnerit te Drita zëvendësoi të larguarin, Akis Vavalis. Ramadani të enjten u prezantua te Drita, ndërsa mbajti edhe stërvitjen e parë. Ai ka kujtuar kur ishte prapa me pikë sa udhëhiqte Prishtinën, ndërsa në fund fitoi titullin e kampionit. Drita është dhjetë pikë prapa liderit Ballkanit. Zë vendin e tretë në tabelë me 25 pikë nga 14 ndeshje, ndërsa Ballkani ka 35 pikë nga 13 ndeshje. Llapi është në vendin e dytë me 28 pikë nga 15 ndeshje.
“Në vitin 2020 me Prishtinën kemi qenë me minus nëntë pikë dhe në vendin e tretë kur mbaroi stinori vjeshtor. Drita ishte kampione e vjeshtës, Ballkani i dytë, kurse Prishtina e treta, por në fund u shpallën kampion tri xhiro para fundit. Por ishim në heshtje, nuk ishim në mediume, nuk kishim eufori të madhe, punonim në heshtje dhe në fund Zoti na shpërbleu me titullin kampion. Padyshim është një objektiv i vështirë, kemi një mision mjaft të vështirë, por besoj në punën, besoj në seriozitetin e ekipit, në disiplinë, në cilësi të lojtarëve dhe gjithë së bashku nëse i mbledhim forcat, nuk do të dorëzohemi deri në fund. Nuk them që është e garantuar, por nuk mund të them që është e pamundur, derisa ekziston matematika”, ka thënë Ramadani.
Ramadani gjatë prezantimit te skuadra e Dritës ka thënë se suksesi arrihet pa shumë bujë. Ramadani së fundi punoi te skuadra saudite, Ohod. Më herët ka punuar në Kosovë edhe për Trepçën ’89, Feronikelin, Prishtinën e Gjilanin, rivalin e Dritës.
“Faktor i rëndësishëm që vendosa ta pranoj ofertën ishte klubi, serioziteti, objektivat e klubit, por gjithsesi edhe kualiteti i futbollistëve. Kam besim të madh te këta futbollistë, me disa prej tyre kam punuar nëpër klube tjera, por edhe me ata që nuk kam punuar i njoh shumë mirë. I njoh cilësitë e tyre dhe jam i bindur se me shumë punë dhe sakrificë ne do ta ndjekim rrugën që Drita këto vitet e fundit e ndjek, ku objektivi kryesor është titulli. Shpresoj që gjithë ju të na fshini, mos mendoni që jemi favorit dhe ne në heshtje të vazhdojmë të punojmë dhe në fund do Zoti të na befasojë të gjithëve”, ka thënë Ramadani.
Ramadani ka premtuar përkushtim të madh në punë me skuadrën e Dritës.
“Nuk është turp të luftosh dhe mos arrish qëllimin, është turp të mos japësh maksimumin dhe mos kesh fare ndërgjegje. Unë jam një person që gjithmonë mundohem ta kem ndërgjegjen e pastër. Nuk jam trajneri më i mirë. Unë jam maksimumin dhe aq sa di. Nuk kam orar pune, jam i gatshëm për punë aq sa ka nevojë klubi dhe aq sa unë do të kem nevojë për të arritur qëllimin. Nuk e di kur do të jetë fundi, por kurdo që të jetë nuk e kam mërzi të dal përpara për t’i qëndruar pas rezultateve”, ka thënë trajneri shkupjan.
Drejtori i përgjithshëm Feti Murseli ka bërë të ditur se Ramadani ka kontratë me Dritën deri në vitin 2025 me mundësi vazhdimi edhe për vitin 2026.
“Nuk kemi vetëm për këtë sezon, por deri në vitin 2025 me mundësi vazhdimi deri në vitin 2026. Pas ndeshjes që humbëm me Prishtinë, arritëm në një seri ku Drita nuk e ka pasur kurrë më keq. As ai nuk ka kërkuar largimin e as ne nuk e shkarkuam. Kemi pasur mbledhje të përbashkët dhe se më e mira për klubin ishte lirimi i pozitës së tij”, ka thënë Ramadani.
Ramadani punën si trajner në Kosovë e nisi në vitin 2017. Fillimisht udhëhoqi drejt titullit Trepçën ’89. Me klubin nga Mitrovica fitoi edhe Superkupën. Pas suksesit të arritur në Mitrovicë, Ramadanit iu besua një projekt tjetër. Kësaj radhe nga klubi i Drenasit, Feronikeli, tashmë i shuar.
Me Feronikelin fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Ramadani në vitin 2018 mori drejtimin e Shkupit. Por qëndroi shkurt për t’u kthyer sërish te Feronikeli. Në edicionin 2020/2021 drejtoi Prishtinën drejt titullit. Me ekipin bardhekaltër fitoi edhe Superkupën.
Shtatë trofetë i ka fituar me tri klube të ndryshme - Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën.