Sport

Rahoveci me fitore bindëse konfirmohet në Superligë

Pas humbjes befasuese në ndeshjen e parë nga Prishtina e Re (93:89), skuadra e Rahovecit ka shënuar fitore bindëse në duelin e kthimit të plejautit për Superligën e Kosovës në basketboll. Me këtë fitore, Rahoveci është konfirmuar anëtar i Superligës është për sezoni e ardhshëm.

Dueli i luajtur të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, është mbyllur me shifrat 120:87 në favor të ekipit vendas. Gjatë tërë ndeshjes, Rahoveci ka dominuar tërësisht ndaj Prishtinës së Re, që nuk arriti ta fitojë asnjërin prej katër çerekëve.

Musab Mala dhe Fisnik Rugova ishin më të dalluarit në këtë triumph të Rahovecit. Mala e përfundoi ndeshjen me “triple-double” prej 32 pikëve, 10 kërcimeve e 15 asistimeve, ndërsa Rugova shtoi 28 pikë e 11 kërcime.

Te Prishtina e Re, që edhe sezonin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll, më efikasit ishte Mërgim Jakupi me 31 pikë të shënuara, i përcjellë nga Don Polloshka me 27 sosh.

Rahoveci stinorin e rregullt në elitën e basketbollit kosovar e mbylli në pozitën e parafundit dhe për t’u konfimuar në Superligë edhe edicionin e ardhshëm është dashur të luajë në serinë e plejautit.

Në anën tjetër, Prishtina e Re u mposht në finalen e plejofit të Ligës së Parë nga Vëllaznimi që u rikthye në elitë.

Sezonin e ardhshëm, krahas Rahovecit e Vëllaznimit pjesë e Superligës së Kosovës do të jenë edhe Sigal Prishtina, Peja, Golden Eagle Ylli, Bashkimi, Peja e Prizreni-16.