Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

KB Rahoveci e humb ndeshjen e parë të plejautit

Skuadra e Rahovecit është befasuar në ndeshjen e parë të plejautit për statusin e anëtarit të Superligës së Kosovës në basketboll. Të mërkurën, në duelin e luajtur në kryeqytet, Rahoveci ka pësuar nga Prishtina e Re me rezultatin 93:89.

Me këtë humbje, Rahoveci duhet patjetër të fitojë në ndeshjen e kthimit me më shumë se katër pikë epërsi për të mbetur pjesë e elitës së basketbollit kosovar edhe sezonin tjetër.

Rahoveci stinorin e rregullt në Superligë e mbylli në pozitën e parafundit në tabelë, ndërsa Prishtina e Re pësoi në finalen e plejofit të Ligës së Parë.

Mërgim Jakupi me 24 pikë të shënuara ka udhëhequr Prishtinën e Re drejt fitores ndaj Rahovecit. Jakupi ndeshjen e mbylli me 24 pikë të shënuara, ndërsa me lojë të mirë u dalluan edhe Don Polloshka e Arbër Sinani që shënuan nga 21 pikë secili.

Edmond Kryeziu me 22 pikë të shënuara ishte më efikasi te Rahoveci, i përcjellë Tj Dunans (17) e Musab Mala (16) por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen nga Prishtina e Re.

Artikuj të ngjashëm