Skuadra e Trepçës është konfirmuar nënkampione e stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll. Ekipi nga Mitrovica e ka mposhtur Rahovecin në xhiron e fundit të pjesës së rregullt për t’u futur në garat e plejofit nga pozita e dytë.
Dueli i luajtur të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, u mbyll me rezultatin 94:70 në favor të Trepçës. Kështu që, Trepça në plejof do t’i nis garat nga seria gjysmëfinale.
Rahoveci me këtë humbje ka mbetur në pozitën e parafundit dhe do të luajë në plejaut me Prishtinën e Re për t’u konfirmuar edhe sezonin tjetër në Superligë.
Drilon Hajrizi me 20 pikë të shënuara ishte më efikasi te Trepça, i përcjellë nga Taurus Cockfield (16), Rodney Purvis (15) e Amin Hot (14).
Ndërkohë, te Rahoveci më i dalluari ishte Fisnik Rugova me 19 pikë të shënuara.