Sport

Rahoveci fiton bindshëm ndaj Kamzës

KB Rahoveci e ka regjistruar edhe fitoren e dytë rresht në Ligën Unike.

Pas triumfit ndaj Vllaznisë në shtëpi javën e shkuar, Rahoveci të mërkurën e ka mposhtur në udhëtim Kamzën me rezultatin e thellë 103:70 në kuadër të xhiros së 13-të, të parafundit të pjesës së rregullt të kësaj lige.

Me këtë triumf, Rahoveci ka regjistruar fitoren e gjashtë, ka edhe shtatë humbje, duke tubuar 19 pikë.

Qendra Makol Maweirn ishte më i dalluari te Rahoveci në këtë ndeshje. Amerikani u përfundoi ndeshjen me “double-double” prej 27 pikëve e 17 kërcimeve, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Visar Ejupi (24) e Edmond Kryeziu (15).

Te Kamza, më të dalluarit ishin amerikanët Eric Williams (19) dhe Matthew Eldridge (17), por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen e 11-të të Kamzës.