Mesfushori i Francës, Adrien Rabiot, ka gjasa të mëdha që sezonin e ardhshëm të luajë në Premier League. “Gazzetta dello Sport” bën të ditur të mërkurën se ai tashmë ka marrë oferta të majme nga skuadrat angleze.
Rabiot është kontaktuar nga Arsenali, Liverpooli e Chelsea, ekipe që po synojnë ta transferojnë falas në fund të sezonit. Ai është pjesë e Juventusit dhe ekipi italian tashmë i ka ofruar rinovimin e kontratës, por francezi ka kërkuar edhe pak kohë.
Juventusi i ka ofruar pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh për të mbetur në Torino edhe për tre vjet, por thuhet se klubet angleze janë të gatshme t’i plotësojnë kërkesat e tij për pagë prej dhjetë milionë eurosh.
27-vjeçari këtë sezon ka gjashtë gola e dy asistime në të gjitha garat për Juventusin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2019 si lojtar i lirë.