Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Publikohen detaje të kontratës së Messit te PSG-ja

Lionel Messi do të përfitojë rreth 110 milionë euro në paga për tri vjet me kontratën te Paris Saint-Germaini, është raportuar të shtunën.

Superylli i futbollit iu bashkua gjigantit francez pasi Barcelona e pati të pamundur t’ia bënte gati kontratën e re për shkak të problemeve financiare.

Tani gazeta franceze “L’Equipe”, ka “zbuluar” detajet e kontratës së 34-vjeçarit. Messi do të përfitojë aq sa fiton Neymari dhe më shumë se Kylian Mbappe.

Për tri sezone në kryeqytetin francez, argjentinasi do të marrë rreth 110 milionë euro pagë. Në vitin e parë ai do të përfitojë rreth 30 milionë euro, dhe nga 40 milionë euro në vitet pasuese, para se kontrata t’i skadojë më 2024, kur ai të mbushë 37 vjet.

Messi thuhet se s’ka përfituar asnjë bonus kur është transferuar te PSG-ja, edhe pse besohet se ai do të marrë shpërblime shtesë për qëndrim në klub.

Që kur ka kaluar në Ligue 1, ai është lidhur edhe me uebfaqen e kriptovalutave, “crypto.com”, nga e cila do të përfitojë rreth 30 milionë euro për tri vjet.

Paga aktuale e Messit është e barabartë me Neymarin, ndërkaq Mbappe fiton rreth 25 milionë euro në vit.

Messi debutoi te PSG-ja si zëvendësues në ndeshjen ndaj Reimsit para pushimeve për ndeshjet e kombëtareve.

Artikuj të ngjashëm