Sport

Publicisti bjellorus: Me ndeshjen e futbollit, Bjellorusia në fakt e pranon Kosovën

Ka bërë bujë vendimi i UEFA-s që ndeshja e kualifikimeve për Euro 2024 në mes të Bjellorusisë dhe Zvicrës të luhet në Novi Sad të Serbisë. Federata bjelloruse nuk ka lëshuar ende ndonjë njoftim për atë ndeshje, por Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka paraqitur orarin dhe vendin e ndeshjes: 25 mars 2023, ora 18:00, në stadiumin “Karagjorgje” në Novi Sad.

UEFA ende nuk ka njoftuar për vendin e ndeshjes. Bjellorusia aktualisht nuk ka të drejtë të luaj ndeshjet në shtëpi. Këtë vendim e mori UEFA për shkak të përkrahjes që Bjellorusia i ka dhënë pushtimit rus të Ukrainës. Deri më tani Bjellorusia ndeshjet si nikoqire i ka luajtur në Serbi dhe njëjtë ka vendosur edhe për ndeshjen me Zvicrën, që është e para e kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian të futbollit.

Është plotësisht e qartë që ndeshja e Bjellorusisë me Kosovën nuk do të luhet në Serbi. UEFA, për shkak të tensioneve politike, nuk lejon ndeshjet e Kosovës me Serbinë e po ashtu me Bosnjë-Hercegovinën dhe me Rusinë., Dhe natyrisht nuk lejon ndeshje të Kosovës në këto tri vende.

Bjellorusia është tjetër vend që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe që ka qëndrim të fortë anti-Kosovë. Por UEFA nuk ndalon ndeshjet e Kosovës me Bjellorusinë dhe shorti ka përcaktuar që këto dy përfaqësuese të jenë në një grup.

Me zhvillimin e ndeshjes ndaj Kosovës, Bjellorusia në fakt do ta pranojë shtetin e Kosovës. Kështu ka shkruar historiani bjellorus, Alexander Fridman. Shkrimin e tij në rrjetet sociale e ka publikuar mediumi bjellorus, “Tribuna”. Friedman është publicist i njohur në Gjermani, Bjellorusi, Poloni dhe vende të tjera. Është kolumnist i Deutsche Welles, ndërsa ligjëron për historinë në dy universitete gjermane.

Ai ka paraqitur për bjellorusët të vërteten e ndeshjes me Kosovën, por edhe zhvillimet rreth ndeshjes me Zvicrën. Në Bjellorusinë e Lukashenkos, ka fare pak publikime për ndeshjet e ciklit të ardhshëm kualifikues për Evropianin e futbollit.

“Përfaqësuesja e Bjellorusisë është lejuar të marr pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropiane, por paraqitjen e saj tashmë e kanë shënuar disa skandale politike. Bjellorusia është ndaluar që të luajë në shtëpi dhe me praninë e shikuesve. Ekipi nacional dëshiron të organizoi ndeshjes si ‘vendas’ në Serbi. Dhe këtu fillon çështja. Ndeshja e parë e Bjellorusisë ‘në shtëpi’ është ndaj Zvicrës, lojtarët kryesorë të së cilës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri (me origjinë kosovare-shqiptare), nuk kanë vullnet të shkojnë në Serbi. Dhe në qershor, Bjellorusia ka ndeshje me ekipin nacional të Kosovës”, ka shkruar Friedman.

Ai ka thënë se Bjellorusia mund të largohet nga kualifikimet nëse përfshihet më shumë në luftën në Ukrainë.

“Minsku zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por do të duhet të luajë dhe kështu në fakt e njeh Kosovën. Kjo ndeshje qartë se nuk mund të luhet në Serbi. Në përgjithësi, kualifikimet janë ende larg: nëse regjimi i Lukashenkos e përfshin Bjellorusinë më thellë në luftë, atëherë ekipi nacional mund të largohet plotësisht nga kualifikimet”, ka shkruar publicisti bjellorus.

Vendimi që ndeshja mes Bjellorusisë dhe Zvicrës të luhet në Serbi është vlerësuar absurd nga media në Zvicër e sidomos nga mediat në Kroaci. Xhaka e Shaqiri dy herë kanë eliminuar Serbinë nga Botërori dhe janë figura të urryera nga serbët. Ka pasur fyerje të shumta ndaj dy yjeve shqiptarë të Zvicrës, pas Botërorit në Rusi dhe pas Botërorit të këtij muaji në Katar. Dhe prapë UEFA ka pranuar që ndeshja të luhet në Serbi, ndonëse pa praninë e shikuesve.

Nuk përjashtohet mundësia që vendimi i UEFA-s të ndryshojë ndërkohë, për shkak të rrezikut që mund të paraqesë ndeshja në Novi Sad. Por aktualisht në faqen e UEFA-s shkruan se ndeshja do të luhet në Novi Sad.

Bjellorusia, aleatja e Rusisë, ka luajtur ndeshje në Novi Sad të Serbisë edhe në qershor. Në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s në këtë qytet u përball me Sllovakinë, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin.

Raportet mes Bjellorusisë dhe Kosovës në sport megjithatë, nuk kanë munguar. Sportistët e Kosovës kanë marrë pjesë në Lojërat Evropiane të mbajtura në Minsk në vitin 2019. Hendbollistet e Kosovës po ashtu kanë luajtur në Bjellorusi, ndërsa klube të basketbollit dhe futsallit nga Bjellorusia kanë luajtur në Kosovë.