Sport

PSG-ja vazhdon ristrukturimin, punëson Camposin si këshilltar futbolli

Kampioni i Ligue 1, Paris Saint-Germaini, vazhdoi ristrukturimin e tij, duke punësuar skautin e njohur të talenteve, Luis Camposin, si këshilltar futbolli, të premten. 57-vjeçari Campos ishte një ish-këshilltar taktik te Real Madridi, nën drejtimin e Jose Mourinhos, por me të vërtetë bëri emër si drejtor sportiv i skuadrës së Monacos, nga viti 2013 deri në vitin 2016.

Klubi mori një dimension të ri me transferime të mëdha, si sulmuesi kolumbian Radamel Falcao dhe ylli i Kampionatit Botëror të vitit 2014, James Rodriguez. Rekrutët e tjerë si Bernardo Silva, Tiemoue Bakayoko dhe Thomas Lemar u shitën te Manchester City, Chelsea dhe Atletico Madrid, respektivisht, pasi Monaco bëri fitime të mëdha.

Një vit pasi Campos u largua, klubi që ai ndihmoi në ndërtimin e tij, e mundi PSG-në për të fituar titullin e ligës në vitin 2017 dhe arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve atë vit.

Më pas, Campos u bë drejtor sportiv te Lille, nga viti 2017 deri në vitin 2020. Ai ndihmoi në sjelljen e mesfushorit të Portugalisë, Renato Sanches, në klub dhe ushqeu talentin e sulmuesit të Nigerisë, Victor Osimhenit – i cili u shit te Napoli për 70 milionë euro. Një vit pas largimit të Camposit, Lille mundi PSG-në për të fituar titullin e vitit 2021 në Ligue 1.

“Jam i lumtur që i bashkohem Paris Saint-Germainit, të cilin e konsideroj klubin më ambicioz dhe emocionues në futbollin botëror”, tha Campos. “Unë besoj fort edhe ndaj vizionit të klubit, kështu që mezi pres të filloj për të shpalosur më tej potencialin e madh të këtij klubi të jashtëzakonshëm”.

PSG-ja tha se Campos do të fokusohet në performancën, rekrutimin dhe anën organizative të ekipit, duke e marrë atë rol nga drejtori sportiv, Leonardo, i cili u shkarkua me të përfunduar sezoni.

“Si një ekspert i mirënjohur i futbollit në botë, Campos është një pionier në zhvillimin dhe përparimin e lojës, i njohur për qasjen e tij moderne dhe inovative”, thuhet në deklaratën e PSG-së. “Campos ka mbikëqyrur përparimin e shumë emrave të njohur në futboll, ndërsa gjithashtu ka mentoruar dhe ushqyer talentet e gjeneratës së ardhshme, që nga atëherë janë bërë superyje”.

PSG-ja, kohët e fundit, e bindi sulmuesin Kylian Mbappe që të nënshkruajë kontratë të re trevjeçare, pavarësisht interesimit të fortë nga Real Madridi. Mbappe thuhet se ra dakord të qëndronte për aq kohë sa ai do të ketë ndikim në të ardhmen e klubit, mes raporteve që ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, mund të zëvendësojë Mauricio Pochettino pas dështimit të PSG-së në Ligën e Kampionëve këtë sezon dhe humbjes së titullit të ligës sezonin e kaluar. Në fakt, është raportuar se pas rekrutimit të Camposit, lëvizja e radhës e klubit parisien do të jetë Zidane, i cili në postin e trajnerit do ta zëvendësojë Pochettinon, që pritet të shkarkohet.