Paris Saint-Germaini do të përpiqet ta vazhdojë formën e mirë në Ligue 1 edhe në xhiron e dhjetë. Kampioni në fuqi, në këtë xhiro do të ketë një udhëtim të vështirë te skuadra e Brestit. PSG-ja ka 18 pikë, tri më shumë se Bresti dhe do të synojë ta regjistrojë fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit kampionale, ku e ka edhe një barazim. Në anën tjetër, Bresti në tri duelet e fundit ka marrë vetëm dy pikë dhe do të tentojë të rikthehet tek fitorja në kampionat pas më shumë se një muaji.
Ndeshja mes Brestit dhe Parisit, zhvillohet të dielën prej orës 13:00. Të dielën, por dy orë më vonë, luan edhe Lille i Edon Zhegrovës. Lille e pret në shtëpi skuadrën e Monacos që ka vetëm një humbje këtë edicion dhe ka tubuar 20 pikë. Lille ka pesë pikë më pak, ndërsa Zhegrova pritet të jetë startues në këtë derbi.
Xhiroja e dhjetë e Ligue 1, do të mbyllet të dielën prej orës 20:45 me duelin ndërmjet Marseillet dhe Lyonit. Marseille ka vetëm një fitore dhe tri humbje në katër ndeshjet e fundit, ndërsa Lyoni është në kërkim të trepikëshit të parë këtë edicion. Zë vendin e fundit në tabelë me vetëm tri pikë të mbledhura, nëntë më pak se Marseille që po lufton për një vend që dërgon në garat e UEFA-s edicionin tjetër.