Paris Saint-Germaini ka urdhëruar siguri shtesë në terrenin stërvitor të klubit dhe në shtëpitë e Lionel Messit dhe Neymarit pas protestave të tifozëve të zemëruar për rezultatet e fundit të liderit të Ligue 1, ka njoftuar AFP të enjten. Qindra tifozë të PSG-së u mblodhën jashtë selisë së klubit të mërkurën në mbrëmje, ku ndezën fishekzjarrë dhe kënduan thirrje armiqësore për yjet me paraqitje të dobët, përfshirë Messin, Neymarin dhe mesfushorin italian Marco Verratti. Disa prej tifozëve, të veshur me të zeza, më pas udhëtuan për në shtëpinë e Neymarit në një periferi të pasur në perëndim të Parisit, ku brohoritën “Neymar, humb”.
“Paris Saint-Germaini dënon në termat më të ashpër të mundshëm veprimet e papranueshme dhe fyese të një grupi të vogël individësh”, ishte reagimi i klubit francez nëpërmjet një komunikate. “Sido që të jenë dallimet e opinioneve, asgjë nuk e justifikon një sjellje të tillë”.
Neymar, i cili është rrënuar nga dëmtimet në PSG dhe është jashtë deri në fund të sezonit aktual, ka reaguar pas fyerjeve të tifozëve të klubit, duke shkruar në Instagram: “Mos lejoni që njerëzit t'ju vënë në stuhinë e tyre. Lërini ata në paqen tuaj”.
Klubi vendosi të rrisë sigurinë në terrenin e tij stërvitor dhe jashtë shtëpive të lojtarëve të veçuar gjatë protestave të tifozëve, të enjten, kanë konfirmuar dy burime brenda klubit që nuk kanë dashur t’u zbulohet emri. Disa nga tifozët kishin treguar se “ata donin të bënin të njëjtën gjë çdo mbrëmje”, tha një nga burimet. Protestuesit u larguan “të qetë, disa minuta pas mbërritjes së tyre” pa asnjë përplasje me policinë, shtoi burimi. E ardhmja e Messit te PSG-ja u vu në dyshim të mërkurën pasi ai u pezullua për dy javë për shkak të udhëtimit në Arabinë Saudite për të përmbushur një rol komercial pa lejen e klubit.
Argjentinasit 35-vjeçar, fitues i Kupës së Botës, i skadon kontrata me Parisin në fund të sezonit, ndërsa tashmë shumë klube, përfshirë Barcelonën, thuhet se janë në garë për nënshkrimin e tij. Ai u transferua me bujë të madhe te Parisi në verën e vitit 2021 si lojtar i lirë dhe firmosi kontratë dyvjeçare me opsionin e rinovimit. Megjithatë, ditët e fundit është raportuar se Messi tashmë ka njoftuar klubin se nuk dëshiron ta vazhdojë bashkëpunimin pas përfundimit të edicionit aktual. Udhëtimi i Messit në Arabinë Saudite erdhi pas humbjes së fundit të ekipit në kampionat. Messi luajti të gjithë ndeshjen në humbjen 3:1 të PSG-së në shtëpi nga Lorienti në kuadër Ligue 1 të dielën e shkuar. Ai u fye edhe nga një pjesë e tifozëve të PSG-së gjatë ndeshjes, pasi më nuk po shihet si simbol i klubit. Në fakt, tifozët insistojnë se drejtuesit e PSG-së kanë bërë gabim të madh duke u fokusuar në nënshkrimet e superyjeve në njërën anë, ndërsa në tjetrën kanë dështuar në ndërtimin e një ekipi të vërtetë konkurrues. Messi ka shënuar 20 gola në të gjitha garat këtë sezon për Parisin dhe është asistuesi kryesor në kampionat, me 15 asistime. Megjithatë, forma e tij qëkur udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë së Kupës së Botës në Katar ka rënë së bashku me atë të shumicës së lojtarëve të ekipit të PSG-së. Paraqitja e pakuptimtë e PSG-së kundër Lorientit ishte humbja e gjashtë në 17 ndeshje të luajtura në kampionatin francez gjatë këtij viti. Megjithatë, Parisi ende prin në tabelë me pesë pikë më shumë se Marseille, kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të sezonit aktual.