Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

PSG-ja kundër Nantesit, pas fitores ndaj Realit

Paris Saint-Germaini do të luajë në udhëtim te Nantesi, të shtunën në kuadër të “Ligue 1”. Ndeshja zhvillohet vetëm disa ditë pasi Kylian Mbappe shënoi golin e fitores dramatike kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve në “Parkun e Princave”.

Nantes – PSG luhet të shtunën nga ora 17:00 dhe i takon xhiros së 25-të të elitës franceze.

Sergio Ramos dhe Leandro Paredes do të jenë jashtë fushës së gjelbër për shkak të lëndimeve, por Neymari pritet të jetë titullar.

Nantesi mund të jetë kundërshtar i vështirë për shkak se është në formë të mirë në xhirot e fundit. Ka pesë fitore nga tetë ndeshjet e fundit në elitën e futbollit francez.

PSG-ja është lidere me 59 pikë. Nantesi është i nënti me 35 pikë.

Kjo xhiro mbyllet me takimin Marseille – Clermont, të dielën nga ora 20:45. Te Clermonti pritet të luajë Elbasan Rashani.

Ekipit të parë të Reimsit do t’i mungojnë edhe në këtë javë Arbër Zeneli dhe Valon Berisha, dy reprezentuesit e Kosovës. Zeneli pritet të luajë me skuadrën e dytë të Reimsit të shtunën. Ndeshja mes Reimsit dhe Brestit do të luhet të dielën nga ora 15:00.

Artikuj të ngjashëm