Paris Saint-Germaini do të përpiqet ta harrojë humbjen e thellë në Ligën e Kampionëve me fitore në kampionat. Të mërkurën mbrëma, Parisi pësoi në udhëtim te Neëcastle Unitedi me rezultatin 4:1, ndërsa të dielën luan në udhëtim kundër Rennesit. Me këtë ndeshje që zhvillohet prej orës 20:45, do të mbyllet edhe xhiroja e tetë e Ligue 1. Në fakt, Parisi nuk do të kërkojë vetëm të reflektojë nga humbja në Champions ndaj Rennesit, por synon të kthehet te fitorja në kampionat pas barazimit pa gola xhiron e shkuar te Clermonti.
Ngjashëm sikurse Parisi, edhe Rennesi pësoi humbje në garat e UEFA-s, pasi të enjten u mposht nga Villarreali në Ligën e Evropës. Në kampionat, këto dy skuadra i ndanë vetëm një pikë në renditjen tabelare. Parisi është i pesti me 12 pikë, një më shumë se Rennesi që nuk di për humbje në ligë, ku ka regjistruar 2 fitore dhe 5 barazime deri më tani.
Dy skuadrat lidere, Monaco dhe Bresti do të kërkojnë fitore këtë xhiro. Si Monaco ashtu edhe Bresti kanë tubuar nga 14 pikë, një më shumë se Reimsi e Nice. Monaco të shtunën prej orës 21:00 është mysafir i Reimsit, ndërsa Bresti një ditë më vonë e pret në shtëpi Toulousen, në duelin që nis nga ora 15:00.
Të dielën, por nga ora 17:00, Lille i Edon Zhegrovës luan në udhëtim te Lensi, ndërsa Nice të shtunën në të njëjtën kohë përballet me skuadrën e Metzit.