Protestuesit i cili vrapoi në fushë gjatë një ndeshje të Kupës së Botës duke mbajtur një flamur me ngjyrë ylberi dhe i veshur me një bluzë të kaltër “Superman” me mesazhe në mbështetje të Ukrainës dhe grave iraniane, iu ndalua të martën të marrë pjesë në ndonjë ndeshje gjatë turneut në Katar.
Komiteti organizativ i Kupës së Botës tha në një deklaratë se “individi i përfshirë u lirua menjëherë pasi u largua nga fusha” dhe se ambasada e tij ishte informuar.
“Si pasojë e veprimeve të tij, dhe siç është praktikë standarde, atij (leja e hyrjes) i është anuluar dhe i është ndaluar të marrë pjesë në ndeshjet e ardhshme në këtë turne”, thuhet në deklaratë.
Protestuesi e identifikoi veten në rrjetet sociale si Mario Ferri, një italian që ka kryer marifete të ngjashme në ndeshje futbolli më parë. Ferri vrapoi në fushë në pjesën e dytë të ndeshjes të hënës midis Portugalisë dhe Uruguait duke mbajtur flamurin me ngjyra ylber. Zyrtarët e sigurimit e ndoqën dhe Ferri hodhi flamurin në fushë përpara se të kapej dhe largohej.
“Do ta quaja ‘VALLJA E FUNDIT’, pushtimi im i fundit në terren, doja të dërgoja mesazhe të RËNDËSISHME, të cilat i kam ndjerë të përjetuara nga dora e parë në muajt e fundit”, ka shkruar Ferri në një postim në Instagram. Ferri shkroi se ai ka miq në Ukrainë që po vuajnë dhe se ai kaloi një muaj në vend si vullnetar pasi Rusia pushtoi vendin në shkurt.
Në ditët përpara ndeshjeve hapëse, kapitenëve të shtatë skuadrave evropiane iu ndalua të mbanin shirita shumëngjyrësh “One Love” gjatë dueleve të Kupës së Botës në mbështetje të drejtave LGBTQ.
Disa tifozë u ankuan gjithashtu se nuk u lejohej të sillnin sende me ngjyra ylberi në stadium. Ferri tha se kjo e shtyu atë të protestonte.
“FIFA ndaloi shiritat ylber të kapitenëve dhe flamujt për të drejtat e njeriut në tribuna, ata i ndaluan të gjithë, POR JO MUA”, shkroi Ferri, duke shtuar “si një Robinhood 2.0, ia solla mesazhin POPULLIT. Ne duam një botë të lirë që respekton të gjitha racat dhe idetë”. Ferri tha se policia e mbajti atë për rreth një orë pas ngjarjes dhe e trajtoi mirë.
Ai tha se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ndihmoi të siguronte lirimin e tij pa asnjë ndëshkim, përveç ndalimit për të parë ndonjë ndeshje tjetër të Kupës së Botës.