Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ekipet evropiane heqin dorë nga shiriti i veçantë i kapitenit

Kërcënimi i FIFA-s për ndëshkim në fushë për lojtarët, i detyroi ekipet e Kupës së Botës të tërhiqen të hënën nga fushata kundër diskriminimit që synonte Katarin, si organizator të këtij turneu. Kapitenët e shtatë ekipeve evropiane nuk do të mbajnë shiritat për të mbështetur fushatën “One Love” në ndeshje pasi FIFA tha se lojtarët do të ndëshkoheshin me kartonë të verdhë.

Ky vendim erdhi tri ditë pas shitja e birrës në stadiume u ndalua pas presionit të Qeverisë së Katarit. “Si federata, ne nuk mund t’i vendosim lojtarët tanë në një pozicion ku ata mund të përballen me saknksione sportive”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët të shtatë federatave evropiane.

Tërheqja erdhi pas kërcënimeve nga FIFA dhe disa orë përpara se Harry Kane, Virgil van Dijk e Gareth Bale, do t’i mbanin shiritat në ndeshjet e së hënës. Po ashtu, edhe kapitenët e Belgjikës, Zvicrës, Gjermanisë e Danimarkës ishin zotuar gjithashtu se do t’i mbanin shiritat për ta mbështetur fushatën “One Love”, e cila tashmë ka dështuar.