Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FIFA lejon tifozët e Uellsit të bartin kapela me ngjyrat e ylberit në stadiume

Federata e futbollit të Uellsit tha se FIFA ka ofruar garanci se tifozët që mbajnë simbole ylberi do të lejohen në ndeshjen e së premtes në Kupën e Botës kundër Iranit.

Federata uellsiane i kishte kërkuar FIFA-s sqarime mbi raportet se disa tifozë të Uellsit u ndaluan të merrnin kapele dhe flamuj me ngjyra ylberi në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të hënën.

“FIFA ka konfirmuar se tifozët me kapele ‘Rainboë Wall’ dhe flamuj me ngjyrë ylberi do të lejohen të hyjnë në stadium”, postoi federata e Uellsit të enjten në mediat sociale.

Federata shtoi se të gjitha vendet e Kupës së Botës janë “kontaktuar dhe janë udhëzuar të ndjekin rregullat dhe rregulloret e dakorduara”.

FIFA konfirmoi se ka qenë në kontakt me federatën e Uellsit dhe përsëriti garancitë e kahershme nga autoritetet e Katarit se simbolet me ngjyrë ylberi do të lejohen në tetë stadiumet e Kupës së Botës. Megjithatë, organi qeverisës nuk ka asnjë autoritet mbi sigurinë e stadiumit, i cili kontrollohet nga komiteti organizativ lokal.