Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gjermanët me “gojë mbyllur” protestojnë ndaj FIFA-s dhe Katarit

Futbollistët e Gjermanisë pozuan në një mënyrë interesante para se të nisë ndeshja ndaj Japonisë. Ata me një dorë mbyllën gojën, si protestë ndaj shtëpisë së futbollit botëror, FIFA-s, dhe vendit nikoqir të Botërorit, Katarit.

Gjermanisë dhe kombëtareve tjera iu ndalua përdorimi i shiritit me ngjyrë në Botëror në mbështetje të komunitetit LGBTI. FIFA paralajmëroi se kapitenët që do të mbanin shirita të tillë do të ndëshkoheshin me të verdhë pa nisur ndeshja. Ky vendim zmbrapsi skuadrat, por gjermanët sërish gjetën një mënyrë për ta kundërshtuar vendimin e FIFA-s.

“Nuk bëhej fjalë për një deklaratë politike – të drejtat e njeriut janë të panegociueshme. Kjo duhet të merret si e mirëqenë, por ende nuk është kështu. Kjo është arsyeja pse ky mesazh është kaq i rëndësishëm për ne. Të na mohosh shiritin është njësoj si të na mohosh një zë. Ne i qëndrojmë qëndrimit tonë”, thuhet në reagimin e Federatës Gjermane të Futbollit.