Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pronarët e të drejtave televizive të Series A nuk kanë paguar këstin e fundit pas paqartësisë të krijuar nga koronavirusi

Kompanitë që kanë të drejtat e transmetimit të ligës elitare të futbollit në itali, Serie A, nuk kanë paguar këstin e fundit për stinorin 2019/20, stinor që është pezulluar shkaku i koronavirusit, kanë thënë burime për agjencinë Reuters.

Serie A është pezulluar që nga 9 marsi. Liga dhe Federata e Futbollit të Italisë duan që stinori të vazhdohet dhe ndeshjet të luhen pa shikues.

Por, qeveria italiane ende nuk ka vendosur nëse do të jap leje për këtë, ndonëse ka lejuar stërvitjet individuale.

Operatori italian Sky, platforma digjitale sportive DAZN dhe agjencia botërore e sporteve IMG nuk kanë paguar këstin final për stinorin 2019/20, shifër afro 220 milionë euro, kanë thënë burimet.

Klubet e Serie A po prisnin të merrnin pagesën deri në fundjavë.

Kësti është pjesë e pagesës vjetore prej 1.3 miliardë euro që pronarët e të drejtave televizive derdhin në valixhet e klubeve italiane për të transmetuar ndeshje.

Burimet thonë se kompanitë i kanë bërë ligës Serie A propozime për shtyrje apo reduktim të këstit që ia kanë borxh klubeve, pas pezullimit të ndeshjeve, por propozimi është refuzuar nga klubet.

Një takim i jashtëzakonshëm i përfaqësuesve të klubeve të Series A do të mbahet të mërkurën.