Dhuna e shfaqur të shtunën në ndeshjen e hendbollit mes Vushtrrisë dhe Trepçës nuk do të kalojë në heshtje. Me rastin shumë të rëndë po merren organet e Federatës së Hendbollit të Kosovës, ndërsa menjëherë të dielën hetimet i ka nisur edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Këtë e ka mësuar KOHA.
Ndeshja e Superligës A të Kosovës në hendboll mes Vushtrrisë dhe Trepçës u ndërpre në minutën e 35-të, kur skuadra mitrovicase ishte në epërsi. Pas një konflikti mes lojtarëve, ku fillimisht hendbollisti i Vushtrrisë, Halim Miftari, godet me grusht në bark e më pas me shkelm në kokë lojtarin e Trepçës, Yassine Henahem, portieri i Trepçës, Chahrou Hachemi i është afruar Miftarit për të kërkuar sqarim. Nga banka në anën tjetër të fushës ka vrapuar portieri rezervë i Vushtrrisë që ka goditur me grusht Hachemin. Më pas ka vrapuar edhe portieri i tretë vushtrrias. Është krijuar një tollovi e madhe, ndërsa nga tribunat kanë hyrë fillimisht dy shikues e më pas edhe shumë të tjerë. Ata, por edhe lojtarët e Vushtrrisë, kanë goditur shumë herë lojtarët e Trepçës, disa prej të cilëve kanë shkëmbyer goditje.
Ndërkohë, hedhjet në drejtim të lojtarëve mitrovicas nuk janë ndalur. Gjatë tollovisë, lojtarët e Trepçës janë zhvendosur në afërsi të njërës tribunë, ku janë goditur jo pak nga tifozët që ishin në tribuna. Hedhjet e mësymjet, duke përfshirë nga një zyrtar të klubit vushtrrias, kanë vazhduar edhe më pas. Ka pasur përpjekje që ndeshja të vazhdohet, por këtë e kanë refuzuar lojtarët e Trepçës. Gjashtë lojtarë të Trepçës kanë kërkuar ndihmë mjekëse, ndërsa më i lënduari ka mbetur portieri.
Me rastin e rëndë është njoftuar edhe Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport. Ky Këshill do të merret me këtë rast më 25 prill. Ndërkohë, KOHA ka mësuar se rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Të dielën pasdite, policë hetues kanë vënë kontaktet me drejtues të Trepçës dhe kanë premtuar veprime të tjera për ditët e ardhshme.
“Prokuroria dhe hetuesia janë duke u koordinuar për veprimet e mëtejme”, kanë thënë burime nga policia.
Ky vlerësohet rastin më i rëndë në hendbollin kosovar në vitet e fundit.
Është vlerësuar se policia në palestër nuk ka ofruar as për së afërmi siguri për skuadrën mitrovicase. Sipas FHK-së, përgjegjësi i policisë në palestër ka thënë se numri i pjesëtarëve të sigurisë ishte i mjaftueshëm. Por incidenti i rëndë dëshmoi se policë megjithatë nuk kishte në numër të mjaftueshëm.
Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, ka premtuar masa të rrepta.
“Duhet të vazhdojmë të përpiqemi dhe të parandalojmë gjitha manifestimet josportive, të ndalojmë ofendimet e sidomos dhunën. Rivaliteti sportiv shprehet me duartrokitje dhe jo me incidente. Po, do të ndërmerren masa. Ato duhet të jenë të ashpra dhe të parandalojnë aktet e tilla në të ardhmen”, ka shkruar Saraçini.